Ndërlidhjet

logo-print

HAXHIMUSA: SISTEMI GJYQËSOR NË KOSOVË ËSHTË LËNË PAS DORE


Nadie Ahmeti

Sistemi gjyqësor në përgjithësi është lënë pas dore, si për nga statusi që kanë gjyqtarët, ashtu edhe për nga organizimi dhe për nga reformimi i këtij sistemi. Kështu tha kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, duke shtuar se për këtë arsye edhe mund të vërehen dobësi në funksionimin e gjykatave në Kosovë. Këto vlerësime të zotit Haxhimusa pasojnë raportin e fundit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, në të cilin është kërkuar ndërmarrja e masave shtesë për shtimin e efikasitetit nëpër gjykata. Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, shpjegon më shumë lidhur me dobësitë në këtë sistem. “Pa dyshim se edhe sistemi gjyqësor është pjesë e shoqërisë sonë dhe tashmë në kontekstin e funksionimit të organeve vendore për një kohë kaq të shkurtër, pesë-gjashtë vite, nuk është e mjaftueshme. Dhe e dyta, në sistemin gjyqësor, kur është bërë përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të thotë bartësve të funksionit të gjyqësorit, nuk është bërë në tërësi seleksionimi i mjaftueshëm, sepse për 10 vjet një numër i gjyqtarëve të atij sistemi kanë qenë të larguar nga puna, dhe juristët e rinj nuk kanë mundur të kapen në ushtrimin e profesionit të tyre”, pohoi zoti Haxhimusa. Problem tjetër në këtë drejtim, paraqet edhe numri shumë i vogël i gjykatësve dhe kjo ka bërë që shumë lëndë të mbeten pa u shqyrtuar fare. Për ta ilustruar këtë, zoti Haxhimusa merr shembull vetë Gjykatën Supreme, në të cilën punojnë vetëm 13 gjykatës, ndërkaq sipas tij, të nevojshëm janë edhe 13 të tjerë. “Në krahasim me vitin 2005, në vitin 2006 neve tri herë na rritet ardhja e konflikteve administrative. Ne kemi pasur vitin e kaluar 4900 çështje në shqyrtim, prej tyre e vërteta është vendosur mbi 50 për qind, 2941, dhe kanë mbetur 2100. Është numër shumë i madh, që kanë mbetur pa shqyrtuar”, thotë zoti Haxhimusa. Por, Lavdim Krasniqi nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, thotë se organet kompetente duhet më tepër të angazhohen në eliminimin e mangësive në sistemin gjyqësor. “Mendoj se do të ishte mirë, që të fokusohemi në përmirësimin e kushteve në aspektin financiar, rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, rritjen e numrit të tyre nëpër gjykata dhe prokurori, por edhe përmirësimin e kushteve të tjera logjistike për gjyqtarë dhe prokurorë”, tha zoti Krasniqi. Ndryshe, zoti Haxhimusa thotë se të gjitha rekomandimet e OSBE-së që i referohen Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk mund të zbatohen, sepse gjykata zbaton ligjin administrativ, i cili tashmë është në fuqi. “Vlerësimet që kanë të bëjnë me nxjerrjen e ligjeve të qarta dhe ligjeve të cilat mungojnë, sepse janë të aplikueshme ligjet e sistemit të kaluar, ligjet e vjetra, siç është ligji mbi konfliktet administrative dhe ligji mbi procedurën administrative, për të cilin ka vërejtje OSBE-ja, se nuk është i qartë dhe ka mangësi në të”, shprehet zoti Haxhimusa. Sidoqoftë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në raportin e fundit ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare përkushtim në krijimin e kushteve më të mira për të gjithë gjykatësit dhe formulimin e ligjeve, që mundësojnë efikasitetin dhe funksionalitetin e tyre.
XS
SM
MD
LG