Ndërlidhjet

SHTOHEN PAKËNAQËSITË RRETH SHTRENJTIMIT TË RRYMËS


Albana Isufi

Nuk ka ndonjë vendim të ri mbi uljen e tarifave të energjisë elektrike, siç ka kërkuar Qeveria e Kosovës, përderisa zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës presin reagime të mëtejme për të shfuqizuar vendimin mbi shtrenjtimin e tarifave. Zyrtarë nga KEK-u thonë se Qeveria nuk e ka sfiduar këtë institucion me ndonjë kërkesë zyrtare, përderisa zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, pohon të kundërtën. “Qeveria në takimin e rregullt, para dy javësh, e ka konsultuar këtë qëndrim të Rregullatorit dhe ka dalë me një qëndrim, në bazë të të cilit i kërkohet Zyrës së Rregullatorit, që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të kthejë sistemin e vjetër të tarifave elektrike”, tha Lama. Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Energjisë qëndrojnë pas vendimit të Qeverisë, se nuk janë kushtet dhe rrethanat për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, madje edhe mund të ndikojë negativisht në buxhetin e Kosovës. Por, faturat e muajit prill qytetarëve duket se do t’u vijnë me tarifat e reja. Qytetarët nuk e pranojnë këtë vendim dhe vënë në mëdyshje pagimin e mëtejmë të energjisë elektrike. Ramadan Ismajli thotë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është bërë në kohën më të papërshtatshme. “Në kohën më të keqe e kanë marrë këtë vendim. Kjo do të shihet më vonë. Ata që kanë qenë të rregullt, do të jenë të parregullt. Unë kam paguar rregullisht, por pas rritjes nuk do të paguaj, le t’ma çkyçin”, shprehet Ismajli. Një tjetër qytetar i Prishtinës, Banush Elezi, thotë se është gabim shumë i madh, që KEK-u dëshiron të mbledhë humbjet që ka nga vjedhja e energjisë elektrike në rrjet, duke ngritur çmimin e tarifave për konsumatorët që paguajnë. ”Është një porosi për KEK-un, nëse ata duan të mbulojnë shpenzimet që i thonë të humbura përmes popullit, unë mendoj se është përgjegjësi e tyre që të angazhohen në këtë pikë, të kërkojnë se ku vidhet rryma. Kështu që, nëse unë shkoj në një shitore të blej diçka, unë nuk do të paguaj për atë që ka vjedhur, por për atë që do e harxhoj”, thotë Elezi. Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë tërheqin vërejtjen se një vendim i tillë i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, mund të çojë edhe në trazira sociale. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se shtrenjtimi i rrymës elektrike në kohën e përcaktimit të statusit final, mund t’i kushtojë Kosovës dëm shumë të madh. “Një gjë e tillë mund të ndikojë në formë indirekte apo në forma të tjera në aspekt negativ, për të nxitur trazira, që Kosovës do t’i shkaktonin dëm shumë të madh, madje edhe fatal për të ardhmen e saj”, theksoi Gërxhaliu. Ai thotë se jo vetëm shtrenjtimi për 5 për qind sa ka kërkuar Rregullatori, por edhe 50 për qind po të ishte, nuk do të mjaftonte, siç thotë ai, për të mbuluar keqmenaxhimin e KEK-ut. “Është vërtet një hapësirë eksperimentale Kosova dhe kjo që ka ndodhur me KEK-un dhe rreth KEK-ut, është dëshmia më e mirë”, tha Gërxhaliu. Ndryshe, shtrenjtimi i energjisë elektrike është kërkuar që të debatohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG