Ndërlidhjet

THAÇI: KONFERENCA NË NJU JORK PATI SUKSES TË PLOTË


Hashim THAÇI, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Z, Thaçi, si i vlerësoni punimet e përgjithshme të konferencës për Kosovën në Nju Jork?

HASHIM THAÇI
Mendoj se konferenca ka pasur suksesin e plotë. Të gjitha autoritetet e qeverisë amerikane dhe personalitetet që i janë drejtuar konferencës, kanë theksuar se e vetmja zgjidhje për Kosovën dhe për statusin e saj është respektimi i vullnetit të popullit të Kosovës për Kosovën e pavarur, sovrane, me mbikqyrje të lehtë civile ndërkombëtare dhe prezencë të NATO-s. Një Kosovë si vend i të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejta të barabarta. Por, në anën tjetër, kemi edhe marrjen e përgjegjësisë nga politika kosovare për implementimin të projektit për Kosovën e pavarur dhe diskutimin e hapave strategjikë që do t'i ndërmarrim në 120 ditët e ardhshme pas nxjerrjes së rezolutës nga ana e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku është fokusuar më së shumti vëmendja e takimit?

HASHIM THAÇI
Fokusimi është në hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrin institucionet dhe politike kosovare, në mënyrë që të kemi një fillim të ri, një epokë të re, një fazë të re të suksesit për implementimin e angazhimeve të përbashkëta, në veçanti për nxjerrjen e Kushtetutës së re të shtetit të Kosovës, për nxjerrjen e simboleve, nxjerrjen e legjislacionit të duhur, dhe natyrisht edhe për hapat e mëtutjeshëm për integrimin e minoritarëve në institucione, në veçanti të serbëve. Gjithashtu, edhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së Mitrovicës, në mënyrë që qyteti të integrohet, si dhe të krijohen kushtet që secili të ketë të drejtën për të jetuar në pronat dhe shtëpitë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Thaçi, sa mendoni se Kosova do ta ketë mbështetjen e partnerëve perëndimorë, sidomos të Shteteve të Bashkuara në fazën e tranzicionit?

HASHIM THAÇI
Kosova është partneri më i qëndrueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Kosova ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit edhe pas zgjidhjes së statusit. Mendoj se është një mbështetje e merituar dhe është një partneritet, i cili ka rezultuar me sukses. Kosova është një rrëfim i suksesshëm i ndërkombëtarëve. Edhe në takimin që e kishim me sekretarin e përgjithshëm të OKB, Ban Ki-Moon u theksua se do të punohet me këmbëngulje që rezoluta të nxirret sa më shpejt që është e mundur. Kështu, gradualisht po krijohet uniteti ndërkombëtar për nxjerrjen e rezolutës, me gjithë hezitimet që mund të paraqiten. Por, përsëri po them se partnerët tanë për shtetin e Kosovës janë duke punuar fuqishëm në mënyrë që të përmbyllet ky proces sa më shpejt që është e mundur, dhe pastaj edhe ne t'i ndërmarrim veprimet tona në Kosovën e bërë. Nxjerrjen e ligjit zgjedhor, organizimin sa më të suksesshëm të zgjedhjeve, në mënyrë që të kemi edhe qeverisje të re, lidership të ri dhe hapje të perspektivës së re për vendin dhe qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Po sa mendoni se është e gatshme apo e përgatitur vetë Kosova që të përballet me 120 ditët e para pas përcaktimit të statusit?

HASHIM THAÇI
Nuk duhet pritur mrekulli në 120 ditëshin e ardhshëm. Mendoj se Kosova ka qenë e gatshme për pavarësi qysh në qershor të vitit 1999. Tash ajo është e gatshme, është unike dhe është e përgatitur për t'i marrë përgjegjësitë që i takojnë. Ne kemi kaluar një tranzicion 7-vjeçar të ballafaqimit me implementimin e standardeve demokratike. Mendoj dhe mund të them lirisht se Kosova është e përgatitur për shtet dhe për të funksionuar si shtet.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG