Ndërlidhjet

UNDP-JA SUGJERON LEGALIZIMIN E ARMËVE TË PALIGJSHME


Albana Isufi

Një fëmijë pesëvjeçar dyshohet se ka qëlluar pasditen e djeshme një moshatar të tij, me një revole që i përkiste një të rrituri, në fshatin Dumosh të Podujevës. Viktima është plagosur në gjoks, ndërkaq arma është konfiskuar, njofton Shërbimi Policor i Kosovës. Aksidente të tilla njoftohen shpesh nga SHPK-ja. Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim në SHPK, Naim Rexha, thotë se vrasjet apo plagosjet shpeshherë janë të paqëllimshme dhe kjo ndodh për shkak të numrit të madh të armëve të vogla, që gjenden në shoqëri. “Përdorimi i armëve në rastet kriminale është i nduarduarshëm, prej të shtënave aksidentale, lëndimeve, vrasjeve të padëshiruara, deri te veprimet konkrete të veprave penale, të vrasjeve me to. Është rrezik i madh në rrethanat e shoqërisë sonë që të mbahen apo barten, eventualisht të përdoren armët e tilla”, thotë Naim Rexha. Në duart e kosovarëve, sipas vlerësimeve të bëra nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, gjenden rreth 400 mijë armë të vogla, 300 mijë nga to janë ilegale. “Nuk ka një arsye të vetme për mbajtjen e të gjitha këtyre armëve. Por, mendoj se është një kombinim i faktorëve. Një nga ta është se qytetarët e Kosovës jo domosdoshmërisht i besojnë institucioneve të sigurisë, apo sigurisë që ofrohet në Kosovë. Për këtë arsye, mbajnë armë për vetëmbrojtje. Pastaj, arsye që lidhen me traditën, apo për shkak se disa njerëz janë të interesuar për gjuetinë”, thotë Helena Vazquez, këshilltare për armët e vogla në UNDP. Naim Rexha nga SHPK-ja, thotë se armëmbajtja për shkaqe të pasigurisë, nuk përkon me realitetin. Ai thotë se shoqëria kosovare mban armë më shumë si pasojë e kultivimit të traditës. “Është çështje e ndjenjës së pasigurisë së qytetarëve, në kuptim të elementeve tona traditore, jo në kuptim të perceptimit të mirëfilltë. Është çështje, prapë element traditor, i dëshirës së shoqërisë sonë dhe në përgjithësi i shoqërive të Evropës Juglindore, të Ballkanit, që të kultivojnë dashurinë për armët”, thekson Rexha. Nga armët e konfiskuara në aksionet e policisë, sipas tij, vërehet se armët e vogla kanë mbetur kryesisht nga konflikti i armatosur. Edhe pse nënkoloneli Rexha nuk përjashton mundësinë, që edhe më tej të ketë kontrabandim të tyre. “Nuk mund të përjashtohet ndonjë futje në mënyrë kontrabande, si çdo gjë tjetër që nuk mund të përjashtohet”, pohon Rexha. Në vitet e para të pasluftës, KFOR-i si dhe mekanizma tjerë të sigurisë kanë shpallur disa herë amnisti të armëve, me qëllim të mbledhjes së të gjitha armëve të paligjshme, por pa ndonjë sukses të madh. Naim Rexha thotë se ndonjë rishpallje e amnistisë tani nuk do të ishte e dobishme, për shkak të situatës së ndjeshme politike. “Janë disa vlerësime të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme, që nuk është momenti ideal, që tani të fillohet me një organizim të tillë, për arsye të rrethanave shoqërore, që të mos ketë ndonjë keqkuptim“, thekson Rexha. Por, Helena Vazquez thotë se më i nevojshëm se ndonjë amnisti, do të ishte legjislacioni, i cili do të rregullonte armëmbajtjen. “Nuk është në pyetje grumbullimi i armëve apo çarmatosja. Duhet që qytetarëve t’u mundësohet të mbajnë armë legalisht, pasi që tani për një qytetar të rëndomtë, kjo gjë është pothuajse e pamundur. Pra, duhet një legjislacion i duhur me udhëzime të qarta, se kush mundet dhe kush nuk mund të ketë licencën për armë dhe kjo ka të bëjë me kontrollimin e armëve dhe jo marrjen e tyre nga popullata”, ka thënë Helena Vazquez.

XS
SM
MD
LG