Ndërlidhjet

ENDE NUK DIHET FATI I PASAPORTAVE PAS LARGIMIT TË UNMIK-UT


Nadie Ahmeti

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka të qartë, se çfarë do të ndodhë me dokumentet e udhëtimit dhe identifikimit, pas largimit të administratës ndërkombëtare nga Kosova. Të gjitha këto dokumente mbajnë akronimin e kësaj administrate - UNMIK. Bajram Mjeku, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pohon se kjo ministri tashmë është duke diskutuar me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare rreth detajizimit të afatit të dokumenteve të udhëtimit, të lëshuara nga UNMIK-u. Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas tij, është që të vazhdohet afati i dokumenteve të udhëtimit për aq sa të jetë e mundur. “Ne jemi të angazhuar, që të sqarojmë këtë pozicion jo të favorshëm për momentin, por besoj se faktori ndërkombëtar do të jetë i vetëdijshëm për situatën e krijuar dhe do të shtyjë afatin e validitetit të këtyre dokumenteve të udhëtimit, por edhe dokumenteve të identifikimit”, pohon zoti Mjeku. Ai ndërkaq thotë, se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë pritet të merret një qëndrim, rreth validitetit të dokumenteve të udhëtimit. “Nuk ka asgjë konkrete. Tek pas mbledhjes së parë, Qeveria e Kosovës do të sqarojë këto pozicione rreth dokumenteve të udhëtimit dhe identifikimit”, theksoi zoti Mjeku. Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme ende po prodhon dokumente të këtilla dhe qytetarët kosovarë po pajisen me pasaporta të UNMIK-ut, deri në ndonjë vendim të prerë nga vetë administrata ndërkombëtare. “Dua t’u përkujtoj në këtë rast, se edhe materiale ka mjaft për prodhimin e tyre, prandaj ne duhet të presim dritën jeshile të administratës së UNMIK-ut, se a do të vazhdojmë të prodhojmë dokumentet apo do të ndërpriten dokumentet e udhëtimit, të lëshuara nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut”, tha zoti Mjeku. Ai pohon se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, në fazën e tranzicionit, kjo ministri do të përgatisë ligje, ndërkaq pas shpalljes së simboleve zyrtare, do të fillojë edhe përgatitja e dokumenteve të udhëtimit dhe identifikimit. “Pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, kemi një vakuum ligjor, një afat ligjor 120 ditësh. Dhe gjatë kësaj periudhe, Ministria e Punëve të Brendshme do të shpallë konkurs për simbolet e saj, përfshirë këtu edhe për simbolet e dokumenteve të udhëtimit dhe letërnjoftimit. Konsiderojmë se kjo është një kohë e mjaftueshme për simbolet e dokumentet e udhëtimit dhe identifikimit”, theksoi zoti Mjeku. Sidoqoftë, edhe zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë kanë pohuar se janë duke biseduar me institucionet vendore për këtë çështje, por nuk kanë dhënë asnjë hollësi tjetër.


XS
SM
MD
LG