Ndërlidhjet

BIEBER:"REZOLUTA E KS TË OKB-së EVITON SHKËPUTJEN E VERIUT"


Florian BIEBER, ekspert për Ballkanin në Universitetin Kent

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia duket se synon të sfidoi Perendimin lidhur me statusin e Kosovës. Cili mund të jetë veprimi i ardhshëm i qeverisë në Beograd?

FLORIAN BIEBER
Qeveria në Beograd është duke pritur vizitën e ekipit të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, por ata janë në pritje edhe të refuzimit të planit të Ahtisaarit nga ana e zyrtarëve rusë dhe kinezë. Por, unë nuk shoh se Serbia disponon me çfardo propozimi të ri që do të kishte ndonjë ndikim.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë, por edhe serbët e Kosovës thonë se nëse Kosova pavarësohet, pjesa veriore do të shpallë shkëputjen nga Kosova. A ju duket kjo realiste?

FLORIAN BIEBER
Do të varet shumë se si do të pavarësohet Kosova. Nëse do të kemi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe nëse nuk do të ketë veto të Rusisë, për serbët do të jetë shumë vështirë të ndërmarrin një hap të tillë. Ky skenarë është më i mundur nëse nuk do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Nëse do të ketë njohje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, për shembull nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe vendet tjera, atëherë deklarimi i shkëputjes së veriut është më i mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa ekspertë thonë se Serbia është e vetëdijshme se nuk mund të mbajë Kosovë, por në fakt synon coptimin?

FLORIAN BIEBER
Synim parësor i shumë prej tyre është mbetja në pushtet. Elita politike serbe mbetjen në pushtet e ndërlidhë me çështjen e Kosovës. Por, ka edhe të atillë siç është kryeministri Koshtunica që vërtetë mendojnë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë. Coptimi i Kosovës përbënë planin "B" për pjesën më të madhe të elitës politike të Serbisë, ndërsa plani "A" parasheh mbajtjen e gjithë Kosovës në përbërje të Serbisë, pavarësisht që edhe vetë politikanët serbë e pranojnë se kjo nuk është realiste, por nuk mund ta thonë publikisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka rrezik nga shpërthimi i dhunës në Kosovë?

FLORIAN BIEBER
Rreziku më i madh për shpërthimin e dhunës vjen nëse nuk do të ketë rezolutë të qartë të Këshillit të Sigurimit ose nëse nuk do të ketë mbështetje për planin e Marti Ahtisarit. Në këtë variantë do të shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë mëtutje. Nëse nuk do të ketë qartësi në rezolutën e re dhe forcë legjitime ndërkombëtare në teren dhe as perspektivë të qartë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, atëherë besoj se ka rrezik për shpërthim të dhunës. Unë dhe shumë analistë tjerë mendojmë se edhe për vetë serbët do të jetë më vështirë dhe më keq nëse nuk do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Duke u mbështetur vetëm në veton ruse qeveria serbe është duke rrezikuar sigurinë e serbëve të Kosovës më shumë se kushdo tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se ka dallime në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian rreth Kosovës. Çfarë do të ndodhë nëse Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën, por Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësitë në Kosovë?

FLORIAN BIEBER
Është fare evidente se disa vende si Spanja ose Sllovakia janë skeptike sa i përket pavarësisë së Kosovës, por supozoj se nëse do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe mandat të qartë, atëherë nuk besoj se këto vende do të bëjnë probleme. Mungesa e unitetit brenda Bashkimit Evropian do të paraqitet si sfidë serioze vetëm nëse Kombet e Bashkuara nuk do të mbështesin planin e Ahtisaarit. Në këtë rast do të kemi përçarje, sepse do të hapen opcione tjera dhe do duhet të vendoset për alternativa tjera.

Intervistoi: M. RAKELA
XS
SM
MD
LG