Ndërlidhjet

GJUHA E SHENJAVE - ÇELËSI I JETËS PËR TË SHURDHËRIT


Nadie Ahmeti

Personat e shurdhër pohojnë se janë lënë pas dore dhe nuk janë të barabartë me qytetarët tjerë në Kosovë, qoftë në aspektin e punësimit, qoftë në atë të arsimimit. Kjo çështje është diskutuar sot, gjatë një debati të mbajtur në Prishtinë. Vehbi Rukovci, kryetar i Shoqatës së Personave të Shurdhër, me anë të interpretueses, Rukie Gashi, shpjegon mosrespektimin e të drejtave elementare të këtyre personave. “Personat e shurdhër gjithmonë janë lënë anash, si në punësim, por edhe në shërbimet tjera. Nuk është e drejtë, sepse edhe ne jetojmë në Kosovë dhe e dimë se cilat janë të drejtat tona. Edhe ne dëshirojmë të jemi të barabartë me të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, të kemi edukim dhe punësim sa më të mirë”, thotë zoti Rukovci. Sipas tij, problemi më i madh që vështirëson jetën e këtyre personave në Kosovë, është moszyrtarizimi i gjuhës së shenjave nëpër institucione. “Është shumë me rëndësi zyrtarizmi i gjuhës së shenjave. Me shërbimet e interpretuesve do të jemi sa më afër njerëzve që dëgjojnë. Të kemi interpretues sa më shumë, të kemi qasje në edukim, në informacione, në arsimim. Kemi shumë probleme nëpër komuna, sepse duhet të presim me orë të tëra për një certifikatë të lindjes, për shkak të komunikimit”, shprehet zoti Rukovci. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur ta pranojë gjuhën e shenjave, thotë Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Qeverinë e Kosovës. “Dihet që në Kosovë, deri më tani, nuk ka ekzistuar një gjuhë e shenjave dhe kjo është një e drejtë e këtij komuniteti, që duhet ta gëzojë. Mendoj se kjo iniciativë do të gjejë përkrahjen e këtij komuniteti, ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, që sa më shpejt ta zyrtarizojmë gjuhën e shenjave në Kosovë”, tha zoti Hajredini. Me zyrtarizmin e gjuhës së shenjave do të mundësohej edhe jetësimi i të drejtave për personat e shurdhër, vlerëson Enver Kurtalani, administrator në Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve, sërish me anë të interpretueses. “Jemi duke punuar në hulumtimin e gjuhëve të shenjave. Kemi asistentë, kemi këshilltarë ndërkombëtarë. Gjuha e shenjave është shumë e pasur në Kosovë, kjo është gjuhë e kosovarëve dhe jo ndërkombëtare”, thekson zoti Kurtalani. Gjuha e shenjave është çelësi i një jete më të mirë për njerëzit e shurdhër, thotë Collin Allen, anëtar i bordit të Federatës Botërore të të Shurdhërve, nëpërmjet interpretuesit të tij. “Gjuha e shenjave është gjuha jonë amtare. Pa gjuhën e shenjave, jeta jonë nuk do të kishte kuptim. Me zyrtarizmin e gjuhës së shenjave, jeta e personave të shurdhër do të përmirësohet dhe do të ketë një kualitet më të mirë”, shprehet zoti Allen. Sidoqoftë, sipas të dhënave të deritashme, llogaritet se në Kosovë jetojnë afër 20 mijë persona me pengesa në dëgjim.
XS
SM
MD
LG