Ndërlidhjet

KUSH E PENGON KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE NË KOSOVË?


Albana Isufi

Serbët e Kosovës presin që misioni faktmbledhës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të vijë në Kosovë në javën e fundit të prillit, të vërtetojë, siç thonë ata, mospërmbushjen e standardeve, veçanërisht në procesin e kthimit. Por, Ministria e Kthimit thotë se projektet e përfunduara të kësaj ministrie, tregojnë se ky standard ka shënuar përparime, por sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, politizimi nga ana e Qeverisë serbe ka bërë që kthimi të mos jetë plotësisht i suksesshëm. Por, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës presin, që statusi i Kosovës të vendoset mbi bazën e fakteve të grumbulluara në terren, gjatë vizitës së delegacionit të OKB-së. Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën, thotë se edhe më tej nuk ka përparim në përmbushjen e standardeve. “Presidenti Vladimir Putin ka menduar, se ndoshta një shembull flagrant i mospërmbushjes së standardeve që lidhet me Rezolutën 1244, është kthimi, ku nuk ka aspak rezultate”, thotë Nojkiq, duke komentuar deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka thënë se misioni faktmbledhës do të vërtetojë se sa janë përmbushur standardet, veçanërisht kthimi i të zhvendosurve. Por, Ministria e Kthimit thotë se është politizimi nga ana e Qeverisë serbe, faktori kryesor që ka penguar dhe po e pengon kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë. Zëvendësministri i Kthimit, Nazmi Fejza, thotë se shembulli më i mirë është fshati Babush i Ferizajt, ku janë investuar 2 milionë e 660 mijë euro, për ndërtimin e shtëpive, ambulancës, shkollës dhe infrastrukturës, që sipas Fejzës, e ka bërë Babushin fshatin më të urbanizuar në Kosovë. Por, pas tërë kësaj, komuniteti serb në këtë fshat nuk është kthyer, pasi ka paraqitur kërkesa shtesë, të cilat nuk janë pranuar nga Qeveria. ”Në Babush, momentalisht nuk ka të kthyer, për shkak të disa kërkesave politike të paarsyeshme të cilat ata i bëjnë, çështja se kush do të jetë pjesëtar i SHPK-së që do të merret me sigurimin e fshatit, me çfarë planprogramesh do të punojë shkolla pas kthimit të nxënësve, etj. Kështu që fatkeqësisht, procesi i kthimit ka filluar të politizohet nga krahë të ndryshëm të politikanëve, që kanë vepruar në Kosovë, nga Qendra Koordinuese Serbe në Kosovë dhe nga Qeveria serbe, pjesa që udhëhiqet nga Rashkoviq-Iviq”, tha Fejza. Në anën tjetër, Nojkiq thotë se serbët në Kosovë edhe më tej nuk kanë siguri, ndërkohë që sipas tij, ka ngecje në rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e pronës. “Sa i përket kthimit, rezultate ka, por ato janë aq të dobëta sa praktikisht nuk vërehen. Nuk ka rezultate domethënëse, të cilat do të mund të definonin fenomenin e kthimit”, tha Nojkiq. Por, deklaratat e tilla se mungesa e sigurisë dhe liria e lëvizjes po e pengojnë kthimin, sipas zëvendësministrit Fejza, nuk qëndrojnë. “Unë mund t’ju them, një nga rastet po e zëmë, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim punojnë të gjitha komunitetet. Ka edhe serbë nga katër anët e Kosovës dhe çdo ditë pa përcjellje vijnë në punë, dalin tregtojnë nëpër Prishtinë dhe kthehen në shtëpi pa asnjë problem dhe pa asnjë frikë”, u shpreh Fejza. Ai thotë se Qeveria nuk ka buxhet të mjaftueshëm, për të përfunduar me sukses procesin e kthimit. Buxheti për këtë vit është mbi 5 milionë euro, ndërkaq sipas zëvendësministrit Fejza, duhen të paktën 40 milionë euro për një kthim të qëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG