Ndërlidhjet

PRISHTINA PËRGATITET PËR MISIONIN E KS-SË


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues dhe krerët e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë diskutuar sot në lidhje me përgatitjet e Prishtinës, për vizitën e paralajmëruar të ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Gjatë një takimi të përbashkët të delegacionit më të lartë të Kosovës, të udhëhequr nga presidenti, Fatmir Sejdiu, me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe zëvendësin e parë të tij, Steeven Schook, u tha se ende nuk dihen të gjitha detajet e kësaj vizite, por ata thanë se presin që delegacioni i Këshillit të Sigurimit do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, gjatë të cilave do të zhvillojë takime me udhëheqësit vendorë e ndërkombëtarë, shoqërinë civile, si dhe të vizitojë pjesë të ndryshme të Kosovës. Joachim Ruecker tha se UNMIK-u është në pritje të konfirmimit zyrtar nga New York-u lidhur me këtë vizitë. “Biseduam për vizitën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit, e cila duket se do të realizohet më 26 dhe 27 prill, edhe pse ende nuk kemi konfirmim zyrtar. Diskutuam lidhur me nevojën, që ambasadorët e Këshillit të Sigurimit të informohen me të gjitha segmentet në Kosovë, si dhe të dëgjojnë edhe pikëpamjet e shoqërisë civile”, tha Ruecker. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo vizitë do të jetë e karakterit informues dhe si e tillë, ai tha se pritet të përmbyllet në një afat sa më të shpejtë, për t’i lënë vend procesit të filluar të nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Sejdiu tha se nuk beson, që kjo vizitë mund të interpretohet si vazhdim i procesit negociues për statusin. “Nuk do të komentoja dhe nuk është Serbia ajo që përcakton agjendën dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit. Ata e kanë vizionin e tyre shumë të qartë dhe janë vendet anëtare, që kanë argumentet para vetes. Dhe e dyta, mendoj se duhet të kihet parasysh gjithë kjo punë e madhe që është bërë dhe duhet të ecet në këtë përmbyllje të suksesshme”, theksoi presidenti Sejdiu. Ai tha se Prishtina nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të njëanshëm dhe se pret që Këshilli i Sigurimit të nxjerrë rezolutën, ndërkaq më pas ai nuk e përjashtoi mundësinë që Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë, por edhe ky akt, sipas Sejdiut, do të jetë në harmoni me qëndrimet e vendeve që po e mbështesin aktualisht Kosovën. “Vendimi për pavarësinë e Kosovës do të jetë vendim i Kuvendit të Kosovës, që nuk do ta bëjmë në mënyrë unilaterale, por do të kemi një akordancë të plotë me ata që kanë ndihmuar Kosovën në ecjen e saj deri tani. Dhe, është me rëndësi që ne të presim vendimin në Këshillin e Sigurimit, një rezolutë e përbashkët që do të mbështesë këtë dokument, që përcakton formulën e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Sejdiu. Gjatë ditës, presidenti i Kosovës ka pritur edhe drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë, Kai Eide. Ky i fundit tha se ka qëndruar dje në Beograd dhe sot në Prishtinë, për t’i informuar udhëheqësit e dy vendeve lidhur me takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, që mbahet javën e ardhshme në Oslo. Ambasadori Eide i ka përgënjeshtruar disa njoftime në mediat serbe, për mundësinë që ai të marrë rolin e ndërmjetësit ndërkombëtar për vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës. “Kam dëgjuar këtë në media, ditët e fundit, dhe kam menduar madje të shtyj vizitën për disa ditë, përderisa këto spekulime të marrin fund. Por, kjo ishte e pamundshme, pasi që javën e ardhshme duhet të jemi të përgatitur për takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s”, tha ambasadori norvegjez. Ai shtoi se e mbështet planin e Ahtisaarit dhe pret që statusi i Kosovës të qartësohet tani, me rezolutën e re në Këshillin e Sigurimit. Ambasadori Kai Eide sot ka takuar edhe përfaqësues tjerë kosovarë nga opozita. Ai njihet në Kosovë si i dërguari i Kombeve të Bashkuara për raportin vlerësues, që paraqiti para Këshillit të Sigurimit pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004.
XS
SM
MD
LG