Ndërlidhjet

PROKURORI DEAN: PLUMBAT E GOMËS U SHKREPËN NGA POLICËT RUMUNË


Rrahman Paçarizi

Policët rumunë të njësive speciale të policisë së UNMIK-ut janë përgjegjës për vrasjen e dy shqiptarëve, gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt të këtij viti në Prishtinë, tha sot prokurori Robert Dean. Në një konferencë me gazetarët, pasi ia ka dorëzuar raportin shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, prokurori ndërkombëtar që është marrë me këtë rast, tha se vrasjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe plagosja e dy personave të tjerë me plumba gome, kanë mundur të shmangen. “Raporti i përkohshëm konkludon se ekzistojnë dyshime të bazuara, se tri nga të shtënat përbëjnë krime”, theksoi prokurori Dean, duke shtuar se 10 policë rumunë të njësisë speciale kanë gjuajtur me plumba gome atë ditë, ndërsa tetë prej tyre kanë gjuajtur plumbat që kanë shkaktuar vdekjen e personave, tha prokurori Dean, duke vlerësuar po ashtu se hetimet kanë dëshmuar se ka dyshime të arsyeshme, se tri nga të shtënat përbëjnë krime. Sipas tij, gjuajtjet me armë kanë qenë të pajustifikueshme dhe kanë mundur të shmangen. Prokurori Robert Dean tha se deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ta mbështetur një dyshim të bazuar, sipas të cilit ndonjëri nga policët rumunë që ka qëlluar, do të ishte përgjegjës për rastin. Asnjë inicim gjyqësor, sipas ligjeve të Kosovës, nuk lejohet pa pasur dyshime të bazuara se një individ i caktuar ka bërë krim, tha Robert Dean. “Provat nuk më lejojnë mua të përfundoj, se tërë grupi i policëve rumunë ka vepruar në mënyrë të paligjshme. Veprimi i një, dy apo tre prej tyre, në përdorimin e plumbave të gomës në mënyrë të gabuar ose kriminale, gjë që mendoj se ka ndodhur, jo domosdoshëmisht mund t’u mvishet të gjithëve”, theksoi Robert Dean, për të shtuar se në këtë moment, organet e drejtësisë nuk janë në gjendje të identifikojnë në mënyrë specifike, se cili nga policët e përfshirë ka vepruar në mënyrë të gabuar. Sidoqoftë, njësiti rumun i policisë së UNMIK-ut, pak javë pasi kishte ndodhur protesta tragjike e 10 shkurtit, janë larguar për në vendin e tyre, duke mos pranuar t’u nënshtrohen hetimeve. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, pati shprehur keqardhjen për këtë veprim të policëve rumunë të UNMIK-ut dhe pati kërkuar presionin e Kombeve të Bashkuara, për të detyruar autoritetet rumune që të bashkëpunojnë lidhur me rastin. Mirëpo, deri më tash nuk ka pasur një përgjigje pozitive nga autoritetet e Bukureshtit. Prokurori Robert Dean pranoi se ende nuk i kishte marrë përgjigjet e kërkuara nga policët rumunë, por shfaqi shpresën se këtë do ta arrijë përmes Kombeve të Bashkuara. Ai njoftoi, se pjesa e dytë e hetimeve do të fokusohet në zinxhirin komandues dhe procesin e vendimmarrjes, por edhe në atë se kush e ka autorizuar përdorimin e plumbave të gomës.

XS
SM
MD
LG