Ndërlidhjet

BURNS: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË ZGJIDHJE LEGJITIME DHE E NDERSHME


"Pavarësia e Kosovës është zgjidhje legjitime dhe e ndershme. Ne besojmë se pavarësia e mbikqyrur për Kosovën është rruga e vetme për të ecur përpara."
Ky ishte qëndrimi i nënsekretarit amerikan të shtetit për cështje politike, Nikolas Bërns gjatë seancës dëgjimore për Kosovën në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Seanca dëgjimore u mbajt me nismën e kreut të këtij komiteti kongresmenit Tom Lantosh.
Duke folur më tej në këtë seancë Bërns theksoi se mosnjohja e pavarësisë për Kosovën paraqet rreziqe të shumta.
"Cdo përfundim tjetër do rezultojë në një qeverisje jo funksionale, në forcimin e ekstremistëve dhe do cojë drejt konflikteve të reja."
Bërns theksoi se Kosova nuk mund të shërbejë si precedent për shkak të shpërbërjes së dhunshme të ish Jugosllavisë, vendimit të NATO-s për të ndërhyrë dhe faktit se Këshilli i Sigurimit në vitin '99 e vendosi Kosovën nën qeverisjen e Kombeve të Bashkuara. Njëherësh në asnjë rajon tjetër Kombet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në këtë mënyrë për përcaktimin e statusit.
Për të arritur deri në zgjidhjen e statusit Shtetet e Bashkuara po sponsorizojnë rezolutën që do zëvendësojë atë ekzistuesen 1244, tha Bërns. Kjo rezolutë e re, sipas tij, nuk do të shpallë pavarësinë e Kosovës, por do heqë të gjitha barrierat politike dhe ligjore për pavarësinë si dhe do t'i hapë rrugë pranisë ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit.
"Pasi të miratohet rezoluta udhëheqësit e Kosovës do shpallin pavarësinë dhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do ta njohin atë", theksoi Bërns.
Duke u ndaluar tek qëndrimi rus nënsekreatari amerikan i Shtetit, Bërns tha se po vazhdojnë diskutimet me qeverinë ruse, që të mbështesë procesin ose së paku të mos ta bllokojë atë.
Por Bërns ka përsëritur pa mëdyshje se mospërcaktimi i statusit të Kosovës do jetë burim i tensioneve dhe pasigurisë derisa cdo shtyrje do ta keqësojë situatën. Ai shtoi se kthimi nën qeverisjen e Serbisë thjesht nuk është i mundshëm.
"Populli i Kosovës asnjëherë nuk do pranojë qeverisjen serbe dhe këta njerëz janë hapur pro amerikanë."
Më tej para kongresmenëve zyrtari i lartë amerikan ka shpjeguar se vizioni amerikan për Kosovën është "një shtet demokratik, paqësor, shumëetnik dhe në rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO dhe BE."
Shtetet e Bashkuara, tha Bërns janë të interesuara të shohin përparim në fushat kyce, përfshi mbrojtjen e pakicave etnike në Kosovë, pasi sipas tij serbët e Kosovës vazhdojnë të përballen me diskriminim.
"Ne presim që serbët e Kosovës të mbrohen pasi Kosova të ketë marrë pavarësinë."
Por më tej ai ka shtuar se kryeministri Ceku dhe presidenti Sejdiu kanë bërë punë të admirueshme për të komunikuar me të gjitha grupet etnike.
Duke folur për shtetin e ardhshëm të Kosovës nënsekretari amerikan i Shtetit theksoi nevojën e pranisë ndërkombëtare. Sipas tij kjo prani është e nevojshme pasi institucionet vendore janë ende të dobëta dhe nuk kanë aftësitë e duhura për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe dhunën me motive ndër etnike.
Kosova sipas Bërns do ketë nevojë për ndihmë dhe në zbatimin e planit të Ahtisarit.
Shtetet e Bashkuara do të jenë të pranishme në Kosovë edhe pas statusit.
Misioni civil do drejtohet nga një evropian derisa numri dy i këtij misioni do jetë amerikan. Nga ana tjetër NATO-ja do mbikqyrë krijimin e forcës kosovare të sigurisë që do jetë e vogël dhe e armatosur lehtë.
Sa i përket zhvillimit ekonomik presidenti amerikan në buxhetin e vitit 2008 ka kërkuar 151 milionë dollarë për Kosovën. Kjo do përbën 22-25% të kontributit ndërkombëtar që pritet në Kosovë. Një pjesë e madhe do të kalojë për shlyerjen e borxhit të jashtëm që Kosova do trashëgojë nga ndarja me Serbinë.
Bërns i bëri thirrje Serbisë për ta pranuar shtetin e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie normale ekonomike dhe politike.
Zgjidhja e statusit të Kosovës do ta fusë Evropën Juglindore në një shteg dhe fazë të re që do sjellë të ardhme më të mirë për popujt e rajonit, përfundoi nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns në seancën dëgjimore të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë.

XS
SM
MD
LG