Ndërlidhjet

logo-print

CILI ËSHTË NDIKIMI I POLITIKËS NË KULTURË?


Bekim Bislimi

Politika që udhëhiqet sot në Kosovë dhe politikanët që e udhëheqin atë, problemet e kulturës nuk i fusin në radhën e problemeve aktuale, por ndikimi i politikës në kulturën nga njerëzit që merren me kulturë, shikohet nga këndvështrime të ndryshme. Lirak Çela, bashkëmenaxher i Teatrit “Oda” në Prishtinë dhe drejtues i departamentit për kulturë në kuadër të kabinetit për qeverisje të mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se në Kosovë, politika e shtrin ndikimin në kulturë. “Kjo fillon prej kompetencave shumë të mëdha, që ka ministri karshi institucioneve të kulturës. Prej momentit që ministri zgjedh drejtorët e institucioneve, automatikisht ai imponon edhe politikë-qëndrimin e tyre, që shkon kryekëput në vija partiake dhe jo në baza të aftësive profesionale”, shprehet Çela. Dramaturgu, Teki Dervishi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, thotë se një numër institucionesh kulturore, e në këtë kuadër edhe teatri që ai drejton, sponsorizohen nga institucionet e larta qeveritare të kulturës, në krye të të cilave qëndrojnë politikanët, por sipas tij, megjithatë nuk mund të thuhet se ekziston ndikimi i politikës në prodhimtarinë kulturore. “Ato i japin ato donacione, që u ofrojnë institucioneve të kulturës, por politika nuk ndërhyn, nuk ka programe politike, nuk kërkon që ajo prodhimtari t’i shkojë në favor, qoftë situatës politike, qoftë ndonjë konjukture politike, qoftë Qeverisë aktuale ose Presidencës ose Parlamentit”, thotë Dervishi. Në anën tjetër, zoti Çela thekson se ndikimi i politikës në zhvillimet kulturore është i dukshëm, siç thotë ai, kur në skenat kulturore defilojnë njerëz që janë të afërt me subjektet politike, që janë pozitë në pushtet. “Shumë shpesh kemi figura që ne i njohim si politike, do me thënë janë poste politike dhe pa dyshim kjo e ul kualitetin e krijimtarisë në përgjithësi, të artit në përgjithësi, sepse në art duhet të jetë kriterium vetëm vlera. Mund të qëllojë ndonjëri që në atë vijë ka sukses, ka vlera kulminante, por në momentin që je diskriminues ndaj vijave të tjera, kjo ndikon në kualitetin e punës”, vlerëson Çela. Ndryshe e shpreh mendimin zoti Dervishi: “Marrëdhëniet e kulturës, artit me pushtet, prej kur dihet kanë qenë kontradiktore. Arti qëndron vazhdimisht mbi pushtetin, ai ec përpara. Nuk pret artisti ndihmën e shtetit që ta bëjë një vepër, por përkundrazi ai e shkruan veprën si kritikë ndaj shtetit, ndaj shoqërisë, për shkak se demokracia nuk është asgjë tjetër veçse kritikë ndaj situatës aktuale, sado e mirë që të jetë ajo situatë”. Ndërkaq, se a ushtrojnë ndikim arti dhe artistët në politikanët dhe politikën aktuale në Kosovë, zoti Çela thekson se kjo fatkeqësisht nuk ndodh. “Në momentin që mbërrijmë ne që arti të ndikojë në politikë, unë besoj që do t’i kemi punët shumë mirë. Politikanët tonë fatkeqësisht shumë pak e përcjellin artin. Ata vijnë vetëm pak para fushatave ose në ndonjë moment kur e dinë që ka përfshirje mediale dhe aspak nuk përpiqen ta shijojnë ose të komunikojnë me artin ose me artistët. Kjo është më e keqja. Në momentin që ne do të kemi liderë që vërtet e shijojnë, e duan artin, të jeni të bindur që do ta kemi gjendjen shumë më të mirë, qoftë ekonomike, qoftë politike, qoftë rendin, gjithçka do të funksiononte më mirë se tash”, pohon Çela. Aktualisht, sipas zotit Dervishi, ende nuk ka tendenca konkrete, që përmes artit të ndikohet në politikën dhe situatën politike. “Jo për politikë, por ne nuk flasim as për situatën sociale, as për situatën e një paranoje kolektive që na ka lënë lufta, për shembull në një gjendje të rëndë shpirtërore që e ka një popull. Lëvizja kulturore sot në Kosovë nuk merret me kurrfarë politike, mandej jo vetëm me motivin politik, por nuk merret as me problemet që thjesht do të ishin letrare, në kuptimin e motiveve që i kërkon kjo kohë faktikisht të shprehen”, përfundon zoti Dervishi.

XS
SM
MD
LG