Ndërlidhjet

UNDP: GJYSMA E TË RINJVE SHQIPTARË DO TË MIGRONIN PO TË KISHIN MUNDËSI


Rrahman Paçarizi

Meqenëse një përqindje e konsiderueshme e të rinjve kosovarë tashmë janë përballur me varfëri dhe tragjedi, ata nuk kanë mundësitë e duhura për punësim dhe për jetë normale, prandaj edhe është e kuptueshme gatishmëria e shumë prej tyre që ta braktisin vendin, tha sot Frode Mauring, udhëheqës i zyrës së Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e njohur me shkurtesën UNDP. Këto vlerësime, zoti Mauring i ka bërë gjatë prezantimit të një hulumtimi të UNDP-së, lidhur me gjendjen e rinisë në Kosovë dhe brengat e tyre për të ardhmen. Sipas zotit Mauring, raporti i zhvillimit njerëzor i emërtuar “Një gjeneratë e re për një Kosovë të re” nxjerr se tre nga katër persona që kërkojnë punë, janë më të rinj se 40 vjeç. “Kosovarët e moshës më të re, 25 vjeç, përbëjnë 57 për qind të popullsisë që përballen me varfëri të skajshme”, tha Mauring, duke vlerësuar se këtu ndoshta qëndron edhe shpjegimi për mungesën e entuziazmit të të rinjve, për të marrë pjesë në jetën politike dhe në aktivitetet e tjera shoqërore. “91 për qind e të rinjve të anketuar nuk kanë dëshirë të marrin pjesë në organizata joqeveritare, ndërsa 93 për qind nuk duan të jenë të përfshirë në politikë”, tha udhëheqësi i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Frode Mauring, duke shpalosur edhe të dhëna të tjera nga hulumtimi që ka bërë UNDP-ja me mbështetjen e USAID-it. “Gjysma e të rinjve të anketuar do të migronin nga Kosova, nëse do të kishin mundësi”, tha Mauring, për të vlerësuar se këta numra reflektojnë edhe mosbesimin e të rinjve në aftësinë dhe përkushtimin e shoqërisë civile dhe të partive politike për të përmirësuar jetën e njerëzve. Mauring tha se Qeveria e Kosovës, donatorët dhe agjencitë për zhvillim duhet të bëjnë çmos për të realizuar atë që duam për fëmijët. Këtë, tha Mauring, duhet ta bëjë modeli apo shembulli i liderëve dhe përfaqësuesve, të cilët përmes punës dhe angazhimit të tyre, do të ndikojnë për të përmirësuar jetën e njerëzve, përmes modelit të personave të hapur që nuk i paragjykojnë njerëzit sipas përkatësisë, etnike, racore apo fetare, si dhe përmes modelit të liderëve të përgjegjshëm dhe me integritet personal në shërbim të së ardhmes së Kosovës. Hulumtimi i UNDP-së “Një gjeneratë e re për një Kosovë të re” ka përfshirë personat prej moshës 16 deri 29 vjeç dhe ka përfshirë rajone të ndryshme të Kosovës dhe të rinj përkatësish të ndryshme etnike e fetare.
XS
SM
MD
LG