Ndërlidhjet

logo-print

SEJDIU: FJALIMI I BURNS - DËSHMI PËR QËNDRIMIN PRO PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Fjalimi i nënsekretarit amerikan të shtetit, Nikolas Burns, gjatë seancës dëgjimore për Kosovën në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës Përfaqësuese në Kongres, është edhe një rikonfirmim i politikës amerikane në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, ka pohuar sot presidenti Fatmir Sejdiu. Pas një takimi që zhvilloi me një delegacion deputetësh nga Bundestagu, Sejdiu tha se Shtetet e Bashkuara kanë qëndrim shumë të qartë, që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt dhe në harmoni me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. “Është qëndrim shumë i qartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, se mbështetet Kosova e pavarur si perspektivë e zhvillimit të saj, si perspektivë e të gjithë qytetarëve të saj”, tha presidenti Sejdiu. Ai është shprehur i bindur, se Kosova ka një mbështetje të mjaftueshme edhe të vendeve të tjera për nxjerrjen e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, e cila do t’i vë bazat e zgjidhjes së drejtë të statusit mbi bazën e pakos së Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur, me praninë civile ndërkombëtare dhe ushtarake të NATO-s. “Unë, si president i Kosovës, jam i prirë të besoj gjithmonë në variantin e parë. Për ne është me rëndësi, që ky proces të shkojë në bashkërendim të aktiviteteve edhe në vendimin e marrë në nivel të Këshillit të Sigurimit dhe kujtoj se ai do të arrihet. Variantet tjera janë variante që ndihmojnë prapë pavarësinë e Kosovës, do të jemi këtu... por është shumë e qartë që ekziston një mbështetje e përgjithshme, ka pengesa, por është me rëndësi që Kosova të bëhet e pavarur”, vlerësoi presidenti i Kosovës. Ndërkohë, Axel Schafer, nga delegacioni i Bundestagut, tha se Gjermania angazhohet që Bashkimi Evropian të dalë me qëndrim të përbashkët për statusin e Kosovës, qëndrim ky që do të mbështesë zbatimin e pakos së Ahtisaarit. “Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në deklaratën e Berlinit e kanë treguar pozicionin e tyre unik, e po ashtu edhe pesë anëtarët tjerë në Këshillin e Sigurimit do të japin mendimin e tyre. Dhe, ne si Gjermani, por edhe si Bashkim Evropian jemi të interesuar të dalim me qëndrime dhe vendime të përbashkëta”, tha Schafer. Po sot, në Prishtinë është mbledhur delegacioni më i lartë i Kosovës, i cili ka diskutuar çështjet me prioritet në këtë fazë. Sipas zëdhënësit Skender Hyseni, ekipi kosovar për statusin ka vendosur që deri në nxjerrjen e rezolutës në Këshillin e Sigurimit, Prishtina t’i ketë të gatshme projektin kushtetues, ligjin zgjedhor dhe simbolet. “Me aprovimin e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, që me automatizëm e zëvendëson Rezolutën 1244 dhe me automatizëm hap rrugën për Kosovën që ta deklarojë statusin e saj, domethënë pavarësinë e vet, atëherë çështjet më urgjente për këtë realitet që krijohet pas rezolutës së re, janë Kushtetuta, ligji zgjedhor dhe simbolet”, tha Hyseni. Delegacioni i Kosovës ka vendosur që të fillojë edhe një raund të ri diplomatik në New York dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, në kuadër të angazhimeve për të siguruar mbështetjen për rezolutën e re, e cila, sipas zyrtarëve në Prishtinë, do t’i hapte rrugën zyrtarizmit të pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG