Ndërlidhjet

SERWER:"VETOJA E RUSISË - LËVIZJE SHUMË E RREZIKSHME"


Daniel SERWER, Instituti Amerikan për Paqë

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Nicholas Burns tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Si i komentoni ju këto deklarata?

DANIEL SERWER
Nuk mendoj se ka diçka të re këtu. Tash ky është qëndrim i ndërtuar i Shteteve të Bashkuara, që do të përpiqen ta realizojnë deri në fund të muajit maj.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ata mund ta realizojnë këtë deri në fund të majit?

DANIEL SERWER
Nuk e dijë. Shumë varet nga ajo se çka do të ndodhë veçanërisht në Këshillin e Sigurimit. Për momentin gjërat duken shumë të paqarta. Mendoj se vizita e delegacionit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë dhe në Beograd do të ketë njëfarë ndikimi, por është vështirë të parashihet finalja.

RADIO EVROPA E LIRË
Posa e përmendët delegacionin e Këshillit të Sigurimit, që viziton Kosovën. Ky mision ishte propozuar nga Rusia. Disa thonë se ai ishte propozuar vetëm për t'i shtyrë gjërat. Sipas jush, cili është qëllimi i këtij misioni?

DANIEL SERWER
Nuk mendoj se po shkakton ndonjë shtyrje plotësuese. Nuk jam i sigurtë se cili është qëllimi i rusëve, por qëllim i amerikanëve është qartazi që të përpiqen të ndikojnë te rusët, që ta mbështesin rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Vendimi për statusin e Kosovës do të merret në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por, siç thatë edhe ju, atje ka kundërshtim nga Moska, që kërcënon me përdorimin e vetos. Si e shihni ju gjithë këtë situatë?

DANIEL SERWER
Këtë e shohë si një situatë shumë të rrezikshme, në të cilën finalja është e paqartë dhe, për fat të keq, është një situatë në të cilën Beogradi po angazhohet maksimalisht për ta parandaluar zgjidhjen. Siç e thashë, është një situatë shumë e rrezikshme. Mendoj se do të ishte situatë fatkeqe nëse do të ketë shtyrje të mëtejme, pasi ato me siguri nënkuptojnë dhunë të mëtejshme në Kosovë dhe kjo do të jetë situatë e keqe veçanërisht për serbët e Kosovës. Poashtu, do të thoja se do të ishte gjë e keqe edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi do të shihnin se nuk po e marrin njohjen ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, në rast se Rusia e përdorë veton, a pritet që Shtetet e Bashkuara, para se gjithash, por edhe vendet e tjera perëndimore, ta njohin deklaratën për pavarësi të Kuvendit të Kosovës?

DANIEL SERWER
Unë besoj se kjo do të ishte e drejtë, por definitivisht është zgjidhja e dytë më e mirë. Zgjidhja më e mirë është rezoluta e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të arrihet zgjidhja e parë më e mirë?

DANIEL SERWER
Mendoj se është e sigurtë deri në një masë. Nuk jam i sigurtë se, në këtë pikë, mund të japë gjasë më të mira se 50:50. Ajo që varet nga gjërat që unë i dijë se çka saktësisht po ndodhë ndërmjet Uashingtonit e Moskës, ende shpresoj se Beogradi do ta kuptoj se duhet të pajtohet me këtë çështje, pasi, në të kundërtën, rreziku është shumë i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Në disa intervista më herët keni thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë çmim për Rusinë, që të pajtohet për këtë çështje. A mendoni ende kështu?

DANIEL SERWER
Po, mendoj se amerikanët duhet të jenë të përgatitur për t'u marrë vesh me rusët absolutisht.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG