Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT SERBË TË NDARË RRETH NISMËS PËR KTHIM MASIV


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndajnë mendime të ndryshme lidhur me nismat e disa subjekteve dhe asociacioneve të serbëve, për organizimin e kthimit masiv të personave të zhvendosur nga Kosova, në ditën e vizitës së ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë. Nebojsha Joviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb nga Mitrovica, thotë se vendimi për kthimin masiv u përket 30 asociacioneve serbe, të cilat mendojnë se ditën e vizitës së Këshillit të Sigurimit, serbët e zhvendosur në Serbi do të nisen për në Kosovë, për të dëshmuar se ata janë të gatshëm që të kthehen. Joviq thotë se nuk pajtohet me institucionet e Kosovës dhe UNMIK-un, kur thuhet se në Kosovë janë krijuar kushte për kthim. Prandaj, me këtë kthim masiv, sipas tij, do t’i tregojë botës se sa në të vërtetë Kosova është e gatshme t’i pranojë të zhvendosurit. “Serbët, sipas marrëveshjes, do të nisen secili në vendin e vet prej nga janë përndjekur”, thotë Joviq. Sipas tij, kjo nismë nuk ka për qëllim nxitjen e ndonjë incidenti, por që t’i ofrohet një pasqyrë e qartë Këshillit të Sigurimit për gjendjen në Kosovë dhe çështjet e pazgjidhura të serbëve. Kurse, në rast se kjo formë e kthimit kërcënon të eskalojë në incidente, sipas Joviqit, turma do të mbahej në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Me një skenar të tillë nuk pajtohet lideri i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq. Ai mendon se kjo nuk është një ide e qëlluar. Sipas Ivanoviqit, mund të gjenden forma të tjera të protestës dhe shprehjes së pakënaqësisë dhe të mos harxhohet energji me grumbullimin masiv të njerëzve, siç planifikon Këshilli Nacional Serb. “Mendoj se do të ishte më efikase dhe do të prodhonte më shumë efekte, sikur një shprehje e tillë e pakënaqësisë të organizohej në kryeqytetet e vendeve më të mëdha evropiane, kurse kjo formë është vetëm sa për nevoja të brendshme dhe mendoj se nuk është rrugë e mirë”, thotë Ivanoviq. Ndërkohë, sot Qeveria e Kosovës dhe strukturat ndërkombëtare kanë shqyrtuar çështjen e kthimit, si pjesë e standardeve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se misioni i Këshillit të Sigurimit do të shohë të arriturat në Kosovë dhe se sipas tij, nuk priten çështje të tjera gjatë kësaj vizite. “Këshilli i Sigurimit është në mision sipas kërkesës ruse. Mirëpo, nuk do të thotë se vetëm ky shtet është i interesuar për standardin e kthimit dhe të lëvizjes. Për progresin në Kosovë janë të interesuar të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Dhe, ne duhet të dëshmojmë se jo vetëm në fushën e kthimit të qëndrueshëm dhe të lirisë së lëvizjes, ka progres, por edhe në standardet tjera”, theksoi Haziri. Po ashtu, edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Branisllav Gërbiq, thotë se kthimi paraqet një të drejtë të pacenueshme, por ai mbështet kthimin sipas parimeve të përcaktuara nga Qeveria dhe UNMIK-u, që njeh kthimin individual dhe jo masiv. “Kthimi i qëndrueshëm dhe liria e lëvizjes janë parimet themelore të shoqërisë kosovare, në kuptimin e përparimit në integrimet evropiane, në procese këto, në të cilat shkon edhe Kosova”, tha Gërbiq. Kthimi i qëndrueshëm dhe liria e lëvizjes bëjnë pjesë në standardet për Kosovën, të cilat sipas autoriteteve, do të vazhdojnë të plotësohen edhe pas definimit të statusit, pasi që bëhet fjalë për një proces të gjatë, që është dëshmuar si i tillë edhe në vendet tjera të ish-Jugosllavisë.
XS
SM
MD
LG