Ndërlidhjet

logo-print

DILEMAT RRETH REGJISTRIMIT TË POPULLSISË


Nadie Ahmeti

Ministria e Shërbimeve Publike pohon se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, të mbahet në muajin tetor të këtij viti. Kështu ka thënë sot ministrja Melihate Tërmkolli, e cila kryeson edhe Komisionin Qendror të Regjistrimit, pas një takimi që ka mbajtur me përfaqësues të Zyrës së Statistikave të Komuniteteve Evropiane dhe të Entit Statistikor të Kosovës. Zonja Tërmkolli ka pohuar, se Komisioni Qendror i Regjistrimit do t’i propozojë Parlamentit të Kosovës, që kjo çështje të vihet në diskutim dhe në bazë të ligjit, të caktohet data për mbajtjen e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë. “Duke marrë parasysh faktin, se përgatitjet janë bërë dhe thjesht janë bërë në mënyrë mjaft cilësore. Këtë e dëshmon edhe monitorimi që ka bërë EUROSTAT-i, që nuk ka hasur në ndonjë problem esencial, në kuptimin e përgatitjeve teknike për regjistrim. Unë besoj se Parlamenti i Kosovës, së bashku me Grupin Negociator, do të japin një qëndrim përfundimtar, se a do të mbahet tash apo kur do të mbahet regjistrimi”, tha zonja Tërmkolli. Por, në dokumentin për statusin e Kosovës, thuhet se ky proces duhet të mbahet një vit pas nënshkrimit të kornizës se re për Kosovën. Zonja Tërmkolli megjithatë thotë, se nuk ka asnjë arsye që të shtyhet ky proces, aq më tepër tash kur kanë përfunduar të gjitha përgatitjet. “Natyrisht që unë kam kërkuar, si kryesuese e komisionit qendror, por edhe si ministri, në kuadër të së cilës zhvillohen përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, që të ndryshohet ky formulim, për faktin se ne vetëm i kemi përfunduar përgatitjet dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë, që regjistrimi të mos mbahet në këtë vit”, theksoi zonja Tërmkolli. Ndryshe, kurdo që të mbahet ky proces, regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë do t’i nënshtrohen të gjithë ata që kanë qëndruar më shumë se një vit vazhdimisht në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe punëtorë të administratës ndërkombëtare. Kosovarët që jetojnë më shumë se një vit në mërgim, nuk do të regjistrohen si qytetarë të Kosovës, por vetëm do të numërohen për evidentim. Ndërkaq, për të zhvendosurit serbë që jetojnë jashtë Kosovës, në dokumentin për statusin e Kosovës, thuhet se regjistrimin duhet ta bëjë një organizatë të cilën do ta caktojë Serbia. Zonja Tërmkolli shpjegon më shumë: “Kundërshtimi ynë ka qenë i plotë, sepse nuk mundet që qytetarët e një vendi, t’i regjistrojë një organizatë, të cilën e emëron një vend tjetër, në këtë rast Serbia. Prandaj, çështjen e të zhvendosurve nuk e kemi trajtuar si një kategori në kuptimin e asaj që është thënë në dokument, por e kemi trajtuar sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare. Dhe, sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare, regjistrimin e bën organizata që e bën regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, pra duhet ta bëjë Enti Statistikor i Kosovës”. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë do të kushtojë 6 milionë euro. Në bazë të planeve të deritashme, për këtë shumë 20 për qind do t’i ndajë Qeveria e Kosovës, ndërkaq 80 përqindëshi pritet të sigurohet nga donatorët. Ndryshe, Kosova që nga viti 1981 nuk ka pasur një regjistrim të pranueshëm ndërkombëtarisht të popullsisë.
XS
SM
MD
LG