Ndërlidhjet

logo-print

MOORE: SERBIA PREJ KOHËSH KËRKON COPTIMIN E KOSOVËS


Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Moore, disa analistë thonë se në përpjekje për të sfiduar planin e Martti Ahtisaarit, Serbia duket sikur po e konsideron ndarjen e Kosovës. Disa liderë serbë thonë se "nëse shqiptarët shpallin pavarësi, atëherë Kosova veriore do ta bëjë të njëjtën".
Çfarë është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Ata një kohë të gjatë e planifikojnë ndarjen. Na kujtohet mesi i viteve të 80-ta kur disa shkollarë të tyre përgatitnin plane për ndarjen e Kosovës, në të cilat kujdes të veçantë u kushtuan minierave, e jo manastireve. Udhëheqësit në Beograd nuk janë të marrë, dhe e dijnë se e kanë humbur Kosovën shumë më parë. Në veri u formuan struktura paralele, kështu që pjesa veriore e Kosovës, në shumë segmente drejtohet nga Serbia. Pra, mund të themi se ndarja nuk është asgjë e re. Në shumë mënyra, ndarja jo vetëm që është planifikuar, por ajo edhe po funksionon. Por, çështja se si mund të vihet në jetë, është diçka tjetër. Sipas meje, skenari më i mundshëm është që rusët dhe serbët të vazhdojnë të kërkojnë ngecje të procesit, duke bërë thirrje për misione fakt-mbledhëse, për negociatorë të rinj apo për rishikim të rezolutës 1244, duke shpresuar se durimit do t'i vijë fundi, dhe shqiptarët e Kosovës do të provokohen që njëanshëm të shpallin deklaratën e pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo do të njihej nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe disa vende tjera. Por në atë çast serbët e mbështetur nga Moska, do të pohonin se do ta mbështesin rezolutën 1244, e cila thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Kështu, duke pohuar se e mbrojnë rezolutën 1244, ata do t'i dërgonin zyrtarët serbë dhe forcat e sigurisë në veri të Kosovës. Kjo tingëllon mjaft e mundshme. Pyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë me enklavat gjetkë? Mendoj se në rrethana të atilla, ato enklava do të ishin të pambrojtura.
Por, nëqoftëse Kosova njihet ndërkombëtarisht në bazë të planit të Ahtisaarit, atëherë do të jetë e detyruar që t'i mbrojë enklavat si pjesë e pavarësisë së mbikqyrur.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes. Ditë më parë të njëjtën e tha nënsekretari i Shtetit, Nicholas Burns, ndërsa shqiptarët e Kosovës e kundërshtojnë tërësisht.
Por kancelari austriak Alfred Gusenbauer javën e kaluar sugjeroi aplikimin e modelit të Tirolit Jugor për pjesën veriore të Kosovës.
A don të thotë kjo se Perëndimi nuk është unik për këtë çështje?

PATRICK MOORE
Mendoj se Perëndimi as që ka qenë vërtetë unik mbi këtë çështje. Këtë e shohim nga kundërshtimi i Greqisë, Sllovakisë dhe fatkeqësisht, edhe i Italisë, nga e cila pritet ta njohë më mirë Ballkanin. Por na kujtohet mirë se në Romë gjithmonë ka patur një traditë proserbe. Kjo zgjat prej para Luftës së Dytë Botërore, kur qeveritë italiane kishin probleme me Jugosllavinë, por më së shumti me sllovenët dhe me kroatët, se sa me serbët.
Nga ana tjetër, në Perëndim ka patur një ndjenjë nervozizmi, apo do ta quaja ndjenjë frike. Kjo në një farë mënyre ka bërë që për Ballkanin të propozohen zgjidhje jorealiste.
Thënë shkurt, këtu bëhet fjalë për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të jenë të detyruara të prijnë. Na kujtohet mirë nga vitet e 1990-ta se asgjë në territoret e ish Jugosllavisë nuk ndryshoi pa lidershipin e Shteteve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Moore, a mendoni se ideja e ndarjes së Kosovës mund të nxitë konflikt dhe madje probleme tjera në Ballkan?

PATRICK MOORE
Unë jam skeptik për këto teori të dominos. Fakti se një ndër ata që inkurajon këtë është z. Koshtunica, më bën që gjithnjë e më shumë t'i vë në pikëpyetje. Nuk mendoj domosdoshmërisht se njerëzit në Republikën Serbe të Bosnjes dhe ata në Beograd e duan njëri-tjetrin. Ata kanë disa interesa të ndryshëm, disa struktura të ndryshme të pushtetit dhe tradita të ndryshme. Të përkujtojmë se motoja e serbëve është se "vetëm solidariteti i shpëton serbët", por çdo serb do t'ju thotë se arsyeja për këtë është se ata nuk kanë solidaritet të duhur, andaj duhet ta nxitin ate.
Në vitin 2002, profesori serb Stefan Pavloviq, i cili jeton në Britaninë e Madhe, e shkroi historinë e popullit të vet me një titull shumë interesant. Ai nuk e titulloi "Historia e Serbisë", apo "Historia e serbëve", por e titulloi "Serbia- Historia e një Ideje". Me këtë ai deshi të tregojë se shtetësia e Serbisë gjithmonë ka qenë në pikëpyetje, sepse ka patur disa shtete në kohëra të ndryshme që kanë patur kufij të ndryshëm. Pavloviç gjithashtu u zbuloi dhe u hoqi maskat shumë miteve, të cilat janë fort të dashura nga nacionalistët serbë.
Prandaj, ndjenja ime personale është se një lloj ndarje do të jetë e pashmangshme, sepse në 20-25 vitet e kaluara ka patur tepër vrasje dhe pasione. Kjo filloi kur serbët e Kosovës e ndihmuan Millosheviqin të vijë në pushtet dhe ta mbajë ate. Të gjithë e dijmë se çfarë ndodhi më pas.
Shembujt e Kroacisë dhe Bosnjes gjatë viteve të 1990-ta, gjithashtu tregojnë se në përgjithësi, klasa politike serbe jashtë Serbisë, e ka patur të vështirë ta pranojë idenë se serbët mund të jetojnë të qetë dhe me komoditet në një shtet ku të tjerët do të ishin shumicë. Nuk mendoj se situata në Kosovë do të jetë e ndryshme. Ata mbase do të përpiqen ta ndajnë territorin, me gjasë, siç thashë më herët, duke provokuar një deklaratë të njëanshme të pavarësisë, dhe pastaj duke u thirrur në mbrojtje të rezolutës 1244. Na kujtohet parulla që serbët e përdornin në Kroaci më 1991, kur thoshin: "Ne duam të mbetemi në Jugosllavi". Ngjashëm mund të ndodhë këtu, pra të thonë se duan të mbeten në Serbi, ashtu siç e parasheh rezoluta 1244.
Mendoj se do të jetë shumë e dhimbshme për shumicën shqiptare që të shohë një ndarje të këtillë, por në një plan afatgjatë, nuk mendoj se shumë do t'i marrë malli për ish fqinjtë e tyre. Shqiptarët do të vazhdojnë me jetën e tyre në shtetin e ri, dhe më në fund do të jenë në gjendje ta marrin fatin në duart e tyre.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG