Ndërlidhjet

NESHO: VOTIMI ME 2/3 NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME ZHVLERËSON VETON NË KS


Intervistë me z. Agim Nesho, ish ambasador i Shqipërisë në KB në Nju Jork

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nesho, KS-ja është në fazën e diskutimit të planit të Ahtisaarit. A mendoni se plani në formën aktuale do miratohet nga KS-ja?

AGIM NESHO
Sigurisht, plani i presidentit Ahtisaari i paraqitur para Këshillit të Sigurimit është një plan realist, që synon paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Ky plan si paketë do kalojë në Këshillin e Sigurimit në të ardhmen e afërt.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër kemi këmbënguljen e Rusisë se duhet gjetur një zgjidhje e pranuar nga të dyja palët. Nga përvoja juaj në OKB çfarë çmimi do vërë Rusia që të mos bllokojë procesin? Në këtë kuadër deklaratat dhe veprimet e Ambasadorit Çurkin a janë retorikë apo kërcënim real?

AGIM NESHO
Rusia si një fuqi botërore, pjesëtare e KS-së me të drejtë vetoje, luan me Këshillin e Sigurimit për të realizuar politikën e saj të jashtme, sidomos problemet që ka me ish republikat e ish Bashkimit Sovjetik. Ambasadori Çurkin një diplomat me përvojë, më duket se më shumë i mbështetet retorikës se sa vërtetësisë së fakteve. Në fund të fundit, siç e ka thënë dhe ambasadori Holbrooke, Rusia do vazhdojë me këtë retorikë për t'u pozicionuar si aktor kryesor, por do ta ketë shumë të vështirë të mos pranojë një realitet tashmë të patjetërsueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse KS-ja nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët për miratimin e propozimit të Ahtisaarit, a ka Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara fuqi të posaçme për të miratuar planin apo për të zhbllokuar procesin?

AGIM NESHO
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është kryezyrtari i organizatës botërore dhe karta nuk i njeh iniciativa të këtij karakteri. Këshilli i Sigurimit është organi i vetëm që merret me paqen dhe stabilitetin. Por për problemet dhe problematikat e Këshillit të Sigurimit në marrëdhëniet ndërkombëtare ka dhe një mekanizëm tjetër siç është Asambleja e Përgjithshme, ku me propozim të një pjesë të vendeve mund të iniciohet diskutimi i problematikës së Këshillit të Sigurimit. Në këtë rast kjo iniciativë, që ka precedentin e saj në të ashtëquajturën "Bashkim për Paqen" duhet të votohet dhe të miratohet nga 2/3 e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë rast nëse kemi një votë maxhoritare në Këshillin e Sigurimit, por me praninë e një vetoje nga një fuqi e madhe, atëherë votimi me 2/3 nga Asambleja e Përgjithshme brenda kësaj iniciative të "Bashkimi për Paqe" i jep legjitimitet të plotë njohjes ndërkombëtare të rezolutës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mund të arrihet deri në këtë fazë në rastin e Kosovës?

AGIM NESHO
Unë nuk mendoj se do të arrihet në këtë fazë për dy arsye.
Plani i presidentit Ahtisaari është tepër realist dhe tregon një të vërtetë që duhet pranuar sot nga të gjitha fuqitë e mëdha.
Pavarësisht nga shfaqjet e jashtme dhe nga retorikat plani i Ahtisaarit do votohet dhe miratohet pa përdorimin e vetos nga asnjë nga fuqitë e mëdha, duke përfshirë dhe Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë dhe zyrtarë ndërkombëtarë thonë së Kombet e Bashkuara nuk shpallin shtete të pavarura, por i njohin ato. Në rast se Kosova shpall pavarësinë, e cila njihet mbi baza dypalëshe, cilat janë gjasat për njohjen e Kosovës nga organizata botërore dhe cila është rruga e anëtarësimit në OKB?

AGIM NESHO
Rruga kryesore për njohjen e një shteti të ri vjen përmes Këshillit të Sigurimit, i cili ka dhe legjitimitetin për njohjen e një shteti të ri sot në botë. Njohja e dyanshme bëhet në bazë të vullnetit të çdo shteti dhe ky proces ka një limit deri në njohjen nga shumica e vendeve anëtare në Kombet e Bashkuara. Ky fakt më pas pranohet me një vendim, sipas propozimit dhe iniciativës së ndonjë vendi anëtar të KB-ve, në një moment të dytë, kur i shtrohet kjo çështje për diskutim dhe aprovim Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit është organi që jep legjitimitetin dhe vendosjen e statusit të një shteti të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG