Ndërlidhjet

logo-print

GASHI: VIZITA E KS-SË NUK DO TË PRODHOJË EFEKTE NEGATIVE


Alush GASHI, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, javën e ardhshme është paralajmëruar një vizitë e Këshillit të Sigurimit, ndërkohë që ka pasur edhe shumë dilema se çka mund të pasojë pas kësaj vizite, një zvarritje apo një shpejtim i zgjidhjes së statusit të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj në këtë drejtim?

ALUSH GASHI
Propozimi i presidentit Ahtisaari për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, aktualisht është në duart e Këshillit të Sigurimit, si institucioni më i lartë ndërkombëtar për çështje të sigurisë botërore, dhe vendimi i tyre është ekskluzivisht vendim i tyre, pavarësisht pikëpamjeve tona. Pikëpamjet e institucioneve të Kosovës janë shprehur përmes deklarimit të presidentit Sejdiu, i cili është deklaruar se institucionet e Kosovës janë institucione transparente, kanë një qëndrueshmëri demokratike, dhe nuk ka asnjë arsye që ne t’i frikësohemi ekzaminimit të këtyre proceseve nga një vizitë e tillë. Por, të njëjtën kohë, të gjithë kanë shprehur dhe shprehin rezerva lidhur me atë, se në fazën kur pritet vendimi, do të ishte e pakuptimtë e ndoshta edhe shumë e rrezikshme, që të fillohet nga fillimi. Unë besoj, që vizita do t’u ofrojë anëtarëve të cilët vijnë për herë të parë fizikisht, të shohin një dinamikë, një jetë të re në një Kosovë, e cila ka qenë e përfshirë me luftë, me gjenocid, dhe për të cilën shumica e anëtarëve permanentë të Këshillit të Sigurimit kanë dërguar ushtritë e veta, financat e veta, që të arrihet ky sukses. Mendoj, se kjo vizitë, për të cilën ne nuk kemi ndonjë entuziazëm, nuk do të prodhojë efekte negative.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë pohuar, se presin që rezoluta e re për Kosovën të miratohet gjatë muajit maj. Sa konsideroni se Kosova dhe partnerët, siç quhen, të saj ndërkombëtarë, kanë arritur të sigurojnë këtë mbështetje për nxjerrjen e kësaj rezolute?

ALUSH GASHI
Presidenti Sejdiu dhe delegacioni i unitetit, i cili ka një mbështetje të fuqishme të Kuvendit dhe një mbështetje të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, angazhohen që së bashku me partnerët e Këshillit të Sigurimit, në veçanti me vendet e Quint-it, që të jetë një rezolutë sa më parë. Por, të njëjtën kohë është publike, se zotimet tona janë që me rezolutë apo pa rezolutë, status quo-ja nuk mund të vazhdojë. Andaj, sa më parë që Këshilli i Sigurimit ta bëjë një zgjidhje e cila do të garantojë që Kosova të pavarësohet, aq më parë të krijohen mundësi për një jetë me perspektivë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mendoj se ekziston një konsensus i plotë i shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe shpresojmë që pas një kohe jo shumë të gjatë, edhe për pakicën serbe, të jetohet në paqe të brendshme si dhe në paqe me të gjithë fqinjët. Dhe, Kosova të bëhet një vend, për të cilin nuk do të flitet si për vendet e gjenocidit, por do të flitet si për një vend të suksesit, ku puna e përbashkët vendore dhe ndërkombëtare, dëshmohet se arrin një sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mos paragjykuar zhvillimet e ardhshme në New York, në Këshillin e Sigurimit, megjithatë a ekziston edhe një ‘plan B’, nëse atje do të ketë një bllokim të nxjerrjes së kësaj rezolute?

ALUSH GASHI
Ne i kemi dhënë mbështetje me kontinuitet presidentit Sejdiu dhe delegacionit të unitetit. Angazhimi e demonstrimi i përkushtimit për realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës, për realizimin e vetëvendosjes dhe pavarësisë, është i plotë dhe pa pikëpyetje. Kjo se si do të jetë, plan B apo C, është çështje e debateve, por unë besoj se është në rolin prijës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Kosovën ta bëjnë vend të paqes, me një prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe, ajo e cila sot është vendimtare, është se vendet më të zhvilluara të botës demokratike, që kanë investuar me forca ushtarake si dhe me mjete ekonomike dhe me zhvillim të demokracisë, janë bindur që Kosova duhet të jetë vend i pavarur. Ne vetëm duhet të punojmë, të ofrojmë një punë më kualitative se kjo që është sot, dhe të punohet më shumë se sot. Fatmirësisht, në procesin e pavarësimit të vendit tonë, ne nuk jemi vetëm. Procesi i pavarësimit të vendit tonë bën pjesë në kaptinën e shtatë të Këshillit të Sigurimit, që do të thotë se është çështje e sigurisë rajonale.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka Kosova, sipas jush, kapacitete të nevojshme, të mjaftueshme që të përballojë këtë sfidë, do me thënë sfidën e pavarësisë së mbikëqyrur?

ALUSH GASHI
Kosova nuk mund ta ndërrojë të kaluarën. Ne kemi pasur një të kaluar shumë të hidhur. Por, fatmirësisht Kosova është e përcaktuar, që së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ta skulpturojë një ardhmëri. Fatmirësisht, ne kemi një popullatë të re, një popullatë të shkolluar, një popullatë e cila çështjen e pavarësisë e ka çështje ekzistenciale dhe punon me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Andaj, mendoj që këtë fazë do ta përfundojnë njerëz të zgjedhur të këtij mandati. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi, duhet të investojnë në edukim. Nuk ka demokraci pa njerëz të dijshëm. Nuk ka demokraci pa njerëz të shkolluar. Dhe, ne meritat duhet t’ua japim atyre që kanë kontribuar për merita, por institucionet do t’ua lëshojmë në duar njerëzve të dijshëm, njerëzve që punojnë me një transparencë të plotë dhe që japin llogari para qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të bëhemi vetëm një vend normal, si vendet tjera të lira.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG