Ndërlidhjet

EDHE TETË VJET PAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS – 2087 PERSONA ENDE TË PAGJETUR


Rrahman Paçarizi

Dy mijë e tetëdhjetë e shtatë persona të pagjetur edhe tetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, janë një plagë që do zgjidhje, thanë përfaqësues të asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, në nisje të ditëve që shënojnë të zhdukurit. Ata thanë se 27 prilli do të jetë zyrtarisht dita e të zhdukurve, me çka familjeve të goditura do t’u ngjallen së paku shpresat, se dikush është i përkushtuar lidhur me fatin e të afërmve të tyre të pagjetur. Arif Muçolli, koordinator i Qeverisë së Kosovës për çështjen e të pagjeturve, tha se të pagjeturit ende janë një plagë e pambyllur. “Menjëherë pas luftës, numri i saktë është 5980 qytetarë, që kanë qenë të evidentuar si të zhdukur. Prej atëherë, i kemi diku rreth 3983 raste të mbyllura, që do të thotë se janë identifikuar”, tha zoti Muçolli, për të saktësuar se 638 persona janë identifikuar të gjallë, që ndodheshin nëpër burgje, ndërsa sipas të dhënave të fundit, janë identifikuar 2087 të pagjetur, 80 për qind prej të cilëve janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë serbë dhe pjesëtarë të përkatësive të tjera etnike. Haki Kasumi, kryetar i asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, tha se organizimi institucional për të shënuar ditën e të pagjeturve është një satisfaksion për familjarët. “Nëse jo për ngjalljen e atyre që janë gjetur të pajetë dhe janë mbyllur si raste, së paku për familjarët e tyre do të ngjallet shpresa se dikush është prapa tyre dhe dikush po angazhohet në mënyrë serioze për këta njerëz”, tha zoti Kasumi, duke i kritikuar përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë për mosangazhim të mjaftueshëm në çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur. “Konsideroj se për fat të keq, deri më tash politikanët tanë, me të drejtë, në bazë të asaj që kanë bërë, i kemi quajtur politikanë amatorë dhe të stërngarkuar”, u shpreh Haki Kasumi, sipas të cilit politikanët e neglizhuan çështjen e të pagjeturve deri në masën sa i kanë detyruar familjarët, që shpesh të dalin në rrugë dhe të bëjnë presion. Megjithatë, zoti Muçolli nga Qeveria e Kosovës, tha se në këtë drejtim, më shumë se mosangazhim ka pasur vështirësi. “Nuk do të jetë lehtë, pasi aq sa jemi ne të interesuar të arrijmë tek informacionet, po aq janë të interesuar që t’i fshehin gjurmët ata që i kanë kryer krimet”, tha zoti Arif Muçolli, duke mbështetur shpresat më shumë te presioni ndërkombëtar, që është dëshmuar efektiv edhe me rastin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të grupeve punuese për të zhdukurit, që kanë rezultuar me zbulimin e disa varreve masive në Beograd dhe me riatdhesimin e më se 900 trupave të pajetë të shqiptarëve, të gjetur në këto varre masive. Organizatorët thanë se shënimi i ditës së të pagjeturve është vetëm një koincidencë me vizitën e delegacionit të Këshillit të Sigurimit në Kosovë. Megjithatë, thanë organizatorët, ky është një rast që delegacioni të shohë përmasën e brengës së familjarëve për më të dashurit e tyre të pagjetur.

XS
SM
MD
LG