Ndërlidhjet

NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME – SFIDË PËR INSTITUCIONET VENDORE


Nadie Ahmeti

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë ende janë larg plotësimit të kushteve bazë, për inkuadrimin e tyre në Bashkimin Evropian. Këto vlerësime pasojnë raportin e fundit të Kartës Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla, i cili është prezantuar në vitin 2006 nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndryshe, janë dhjetë fusha veprimi, nëpërmjet të cilave Karta Evropiane e Ndërmarrjeve të Vogla monitoron arritjet vjetore të vendeve anëtare të kësaj karte, në të cilën bën pjesë edhe Kosova. Naser Graiçevci, drejtor i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe njëherit koordinator nacional për Kosovë i Kartës Evropiane, thotë se sipas raportit, ndërmarrjet nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, gjenden në pozitën më të vështirë, në krahasim me ndërmarrjet tjera të Ballkanit Perëndimor. “Kanë shumë punë për të bërë, dhe janë në fazën e elaborimit të politikave, që kanë të bëjnë me krijimin e një ambienti më miqësor dhe më të favorshëm, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thotë zoti Graiçevci. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, në një takim të Këshillit Konsultativ të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ka pohuar se Qeveria e Kosovës vazhdimisht është angazhuar, që të krijojë ambient sa më të mirë për komunitetin e biznesit, e posaçërisht në aspektin e infrastrukturës ligjore. Por, sipas tij, ende mbetet shumë punë për t’u bërë. “Vlen të theksohet se është bërë një punë e mirë, sa i përket strategjisë së ndërmarrjeve në Kosovë. Po ashtu, regjistrimi i biznesit është një e arritur e madhe e Kosovës. Mirëpo, prapëseprapë ka ngecje në disa sektorë, si qasja në on-line, fokusuar në informatat dhe shërbimet e NMV-së mbetet në nivel bazor. Pengesë tjetër për biznesin në Kosovë janë edhe taksat dhe qasja në financa, si dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike të NMV-së nuk është në nivelin e duhur”, vlerëson ministri Dugolli. Drejtori i Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla, Naser Graiçevci, tregon vështirësitë që institucionet e Kosovës po hasin në përmbushjen e arritjeve. “Raporti spikat dobësitë që ballafaqohet Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera, që merren me implementimin e procesit të Kartës. Dhe këto dobësi, kryesisht janë të natyrës së limiteve buxhetore, financiare, mungesës së burimeve të mjaftueshme njerëzore për zbatim, dhe kryesorja është se ende është i padefinuar statusi i Kosovës. Po ashtu, në kuadër të dobësive, ceket edhe varshmëria shumë e madhe e institucioneve vendore ndaj donacioneve të huaja”, shprehet zoti Graiçevci. Sidoqoftë, në këtë takim është thënë se vetë fakti që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Kosovë, eliminimi i faktorëve që pengojnë zhvillimin e tyre mbetet sfida më e madhe e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare, që mbulojnë këtë sektor. Ndryshe, Karta Evropiane e Ndërmarrjeve të Vogla është një dokument strategjik, i cili aplikohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për synim parësor ka mbështetjen dhe inkurajimin e bizneseve të vogla. Kosova ndërkaq, zotimet e veta për përmbushjen e këtyre obligimeve i ka bërë në qershor të vitit 2003 në Samitin e Selanikut, që është nënshkruar nga përfaqësues të administratës ndërkombëtare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG