Ndërlidhjet

EN SUGJERON SHPALLJEN E MENJËHERSHME TË KONKURSIT PËR SIMBOLET SHTETËRORE


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit i ka sugjeruar sot Kryesisë së Kuvendit, që në mbledhjen e parë të radhës, të vendosë për shpalljen e konkursit për simbolet shtetërore. Zëdhënësi i Ekipit Negociator, Skender Hyseni, tha se konkursi me gjasë do të ketë karakter vendor dhe jo ndërkombëtar, ndërkohë që kriteret e konkursit, sipas tij, do të vendosen në bazë të një konsensusi mes të gjitha partive politike në Kuvend. “Ekipi i Unitetit ka marrë vendim, që t’i sugjerojë Kryesisë së Kuvendit, që në mbledhjen e parë të marrë vendim për shpallje të konkursit dhe të përcaktojë kriteret e konkursit, afatet për flamurin, për stemën dhe për himnin. Natyrisht, që puna rreth himnit mund të kërkojë më shumë kohë, sepse është çështje më delikate. Ndërkaq, Ekipi i Unitetit pret që në mbledhjen e parë të ardhshme të Kryesisë, të merret vendimi për shpalljen e konkursit, të merret vendimi për kriteret dhe të shpallet konkursi. Natyrisht, me këtë shkon edhe themelimi ose konstituimi i komisioneve përkatëse”, tha Hyseni. Kryesia e Kuvendit tashmë një kohë të gjatë është duke pritur dritën jeshile nga Ekipi i Unitetit, për të shpallur konkursin për simbolet. Ndërkohë, sipas Hysenit, Ekipi i Unitetit vetëm ka dhënë sugjerime fillestare, por nuk ka rekomanduar kushtet dhe kriteret e konkursit. “Janë dhënë orientime të caktuara. Unë besoj se anëtarët e Ekipit të Unitetit këtë do ta bëjnë edhe përmes grupeve të tyre parlamentare, përfaqësuesve të partive të tyre në Kuvend, në Kryesinë e Kuvendit. Me rëndësi është që të që jetë në afat sa më të shpejtë”, theksoi Hyseni. Në pakon për statusin të Martti Ahtisaarit është thënë, se simbolet shtetërore të Kosovës duhet të kenë karakter shumetnik. Skender Hyseni thotë se për këtë çështje, mbetet të vendosë Kryesia e Kuvendit. “Sa i përket përmbajtjes së simboleve, se çka do të reflektojnë, besoj se Kryesia e Kuvendit në bashkëpunim të ngushtë me Ekipin Negociator, me grupet parlamentare, do të dalin me propozimet më valide të mundshme. Ajo që mund të them, është se, ju e dini që më 5 të këtij muaji, Kuvendi i Kosovës ka kaluar një deklaratë politike, me të cilën mbështetet plani i Ahtisaarit dhe se është zotuar, se do të implementojë dispozitat e atij pani. Nuk do të duhej të nxitonim dhe të japim parashikime të çfarëdo lloji, pasi proceset janë të ndërlidhura mes vete”, tha zëdhënësi Hyseni. Ai nuk sqaron nëse simbolet do të jenë gati, atëherë kur edhe Këshilli i Sigurimit eventualisht të miratojë rezolutën e re për Kosovën, por ai thotë se me rëndësi është që kosovarët të jenë gati. Ndryshe, sipas tij, mungesa e simboleve do të krijojë probleme të tjera. “Edhe njëherë po kthehemi te dokumentet e udhëtimit, dokumentet e identifikimit. Do të krijohet pashmangshëm një vakuum pas 120 ditëve te tranzicionit. Do të krijohet një vakuum në këtë fushë. Kosova nuk ka absolutisht hesap që të krijojë, të lejojë vakuum në këtë fushë, sepse mund ta merrni me mend se çfarë pasojash do të ketë, sidomos në rrafshin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, të bizneseve dhe komunikimeve të llojllojshme”, tha Hyseni. Ndryshe, pas takimit të sotëm, Ekipi i Unitetit ka bërë të ditur se e mirëpret misionin faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit dhe është i gatshëm që t’u përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve, që mund t’i kenë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG