Ndërlidhjet

REAGIME: KËRCËNIMI I RUSISË ME VETO – PËRPJEKJE PËR NGADALËSIMIN E PROCESIT


Rrahman Paçarizi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha sot në Prishtinë se një ‘jo’ ruse ndaj pavarësisë së Kosovës, nuk do të ishte vetëm 'jo' ndaj Kosovës, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Këto vlerësime, kryeministri Çeku i ka bërë pas një takimi me kryetarë të komunave të Kosovës dhe me shefat e zyrave diplomatike në Prishtinë, duke komentuar deklaratën e zëvendësministrit të jashtëm të Rusisë, Vladimir Titov, i cili ka thënë se zgjidhja për Kosovën, e mbështetur në propozimin e Ahtisaarit, nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Çeku vlerësoi se Kosova nuk është vetëm në këtë proces, meqë, siç u shpreh ai, procesi i statusit të Kosovës tashmë është proces i përbashkët me aleatët, si Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera të Këshillit të Sigurimit. “Një ‘jo’ pakos së Ahtisaarit, nuk është ‘jo’ vetëm për Prishtinën, është ‘jo’ edhe për vendet tjera, për SHBA-të, për Britaninë e Madhe. Dhe besoj, se hapat e ardhshëm do t’i marrim bashkërisht me aleatët tanë”, u shpreh kryeministri Çeku. Ai tha po ashtu, se qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk është ndonjë befasi, dhe pavarësisht prej kësaj, Kosova do të vazhdojë me agjendën e planifikuar. “Çfarëdo të ketë thënë zëvendësministri rus, kjo nuk duhet dhe nuk do të ndikojë në zbatimin e agjendës sonë që e kemi definuar, përgatitjen tonë për status dhe përgatitjet tona për zbatimin e marrëveshjes së Ahtisaarit, në 120 ditët e ardhshme. Ne jemi me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën bindje, se statusi do të përmbyllet shpejt dhe do të vazhdojmë punën tonë”, tha kryeministri Agim Çeku. Edhe shefi i zyrës franceze, Thierry Reinard, shfaqi shpresën se rezoluta e re për Kosovën do të miratohej shpejt në Këshillin e Sigurimit, pasi shtetet që e kanë mbështetur këtë propozim, do të arrijnë ta bindin Rusinë që të mos përdorë veton. Edhe përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar këtë deklaratë të zëvendësministrit të jashtëm të Rusisë, si përpjekje për ngadalësimin e procesit. Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha: “Qëndrimi i politikës ruse duket se sa shkon e ashpërsohet edhe më tutje. Duket se ata kanë për qëllim ndaljen e dinamikës së miratimit të rezolutës së re, dhe njëkohësisht, të ndikojnë edhe në përmbajtjen e asaj rezolute”. Zoti Kuçi shfaqi besimin se Rusia nuk do ta përdorë të drejtën e vetos, por po bën presion ndërkombëtar, për çka pala kosovare është e shqetësuar dhe e brengosur, por shpresat e saj i mbështet në vendet demokratike, që deri më tash e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se në dhjetë ditët e fundit ka pasur shkëmbim artilerie të rëndë, qoftë nga burime amerikane, qoftë nga ato ruse, dhe kjo praktikisht është uvertyrë e bisedimeve të nivelit të lartë, ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. “Fatkeqësisht, Serbia dhe shqiptarët e Kosovës janë hedhur jashtë lojës. Tash, ata nuk janë në lojë sa i përket statusit, si dhe të ardhmes dhe fatit të propozimit të Ahtisaarit”, tha Oliver Ivanoviq, i bindur se marrëveshja tash do të vijë nga fuqitë e mëdha, gjë që nuk është zgjidhja më e mirë. Sidoqoftë, përderisa institucionet dhe partitë kosovare, shpresat e tyre i kanë mbështetur në angazhimet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe përgjithësisht të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e serbëve, mendojnë se kërcënimi i fundit rus, mund të ndikojë për rishqyrtimin e propozimit të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

XS
SM
MD
LG