Ndërlidhjet

VERBEKE: MISIONI I KËSHILLIT TË SIGURIMIT KA NATYRË INFORMATIVE


Vullnet POSHKA

Misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit filloi të mërkurën në mbrëmje me nisjen e ambasadorëve të 15 vendeve të Këshillit të Sigurimit nga Nju Jorku në Bruksel.
Pas takimit me udhëheqësit e NATO-s, misioni të enjten do të shkojë në Beograd, ndërsa të premten do të qëndrojë në Prishtinë.
Misioni i drejtuar nga ambasadori i Belgjikës Johan Verbeke, do të përmbyllet të shtunën në Vjenë, me një takim me kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.
Para nisjes, ambasadori Verbeke tha se qëllimi i misionit është informativ, ndërsa ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Zalmay Khalilzad deklaroi se është shumë e rëndësishme që çështja e Kosovës të arrijë në një përfundim të suksesshëm.
Ambasadori i Belgjikës në Kombet e Bashkuara Johan Verbeke, tha se qëllimi i vizitës është informimi nga dora e parë me situatën në teren.
"Natyra e këtij misioni në thelb është informuese. Qëllimi është që të marrim informacionet më të reja për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë. Pra, të marrim informata të dorës së parë. Ne do të kemi mundësinë të flasim me të gjithë liderët në Prishtinë dhe Beograd, dhe nga ata të dëgjojmë se si e shohin situatën atje. Pra, gjithçka është e lidhur me informimin", tha Verbeke.
Ai shtoi se shpesh ka patur zbrazëtira në informim, jo për pasaktësi të raporteve, por për mënyrën se si janë përkthyer ato raporte në Nju Jork.
"Nisma e Këshillit të Sigurimit për ta kapërcyer këtë zbrazëtirë, është shumë e rëndësishme dhe e përgjegjshme. Pasi të jemi informuar me pikëpamjet për situatën, atëherë do të mund t'i adresojmë propozimet e z. Ahtisaari. Kjo është vija logjike se si do të veprojmë me këtë çështje", tha Verbeke.
Për vizitën e delegacionit të Këshillit të Sigurimit, u prononcua edhe ambasadori i ri amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad.
"Çështja e Kosovës është serioze, dhe unë kam pranuar të marrë pjesë në këtë udhëtim. E dij se është një udhëtim, i cili u propozua nga kolegët rusë, si shenjë e vullnetit të mirë dhe e partneritetit. Unë do të marr pjesë në këtë udhëtim, i gatshëm për t'i dëgjuar të tjerët", tha ambasadori Khalilzad.
"Por është shumë e rëndësishme të dihet se Ballkani është një rajon tjetër i botës, i cili ka qenë burim i shumë pasigurive. Andaj, duke i lënë pasdore, problemet ndonjëherë mund të zgjaten shumë dhe të çojnë në probleme edhe më të mëdha", pohoi ambasadori amerikan, duke shtuar se çështja e Kosovës duhet të përmbyllet me sukses.
"Prandaj është shumë me rëndësi që çështja e Kosovës të arrijë në një përfundim të suksesshëm", tha ambasadori Khalilzad, i cili gjithashtu foli për mesazhin që do t'i jepet popullit të Kosovës.
"Mesazhi është se ka ardhur koha që kjo punë të marrë fund", deklaroi ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad.
XS
SM
MD
LG