Ndërlidhjet

MERRY:"PLANI I AHTISAARIT NUK ËSHTË FINALIZIM I ÇËSHTJES SË KOSOVËS"


Wayne MERRY, ish zyrtar i Stejt Departamentit dhe Pentagonit

RADIO EVROPA E LIRË
Tash kemi një situatë ku Shtetet e Bashkuara po e mbështesin fuqishëm pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, por nga ana tjetër Rusia e kundërshton këtë. Si e shihni ju gjithë këtë situatë?

WAYNE MEERY
Sikur të gjitha situatat në Ballkan, është e qartë se ajo është shumë komplekse dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë synon të relfektoj perspektivat e tyre, që kanë të bëjnë edhe me çështjet e tjera, e jo vetëm me Ballkanin. Është e qartë se Rusia, si një fuqi e madhe evropiane dhe Shtetet e Bashkuara si fuqi e madhe globale, sjellin perspektivat që shumë pak kanë të bëjnë me faktet aktuale në Ballkan. Pra, unë i shohë perspektivat e tyre në një kontekst më të gjërë. Por, dua të them se në pyetjen tuaj u përmendën vetëm, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Por, si forcë e jashtme, që aktualisht ka të bëjë shumë sa i përketë Kosovës, në vitet dhe dekadat që vijnë, është Evropa. Mendoj se aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, pas shumë vitesh, do të jenë relativisht të parëndësishme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Por, Evropa dhe Bashkimi Evropian do të luajnë rol parësor, pasi diçka e tillë përcaktohet edhe nga gjeografia, ekonomia dhe demografia.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë Rusia është anëtare e Këshillitt ë Sigurimit të OKB-së me të drejtë të vetos, ka shqetësime se Moska do ta përdorë veton për ta parandaluar rezolutën e bazuar në planin e zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës. Sipas jush, a do ta shohim një rezolutë të qartë për çështjen e statusit?

WAYNE MERRY
Nuk jam i sigurtë nëse do të shohim rezolutë të qartë, por nuk jam poashtu i sigurtë se një rezolutë e qartë është domosdoshmërisht e dëshirueshme. Mos harroni se Kina, poashtu, ka çështje serioze për këtë temë dhe është gjithashtu anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë të vetos. Mendoj se esenca e asaj që zoti Ahtisaari po përpiqet të krijoj nuk është aq shumë zgjidhje e përhershme, por një zgjidhje e përkohshme afatgjatë. Ajo që evropianët po përpiqen të bëjnë është që ta bëjnë një mekanizëm, që do të krijojë diçka që do të ishte si një Kosovë e pavarur, por, në realitet, kjo do të ishte shumë pak Kosovë e pavarur. Në thelb, ajo që po përpiqen të krijojnë është diçka që ishte propozuar nga një numër i njerëzve, përfshirë këtu edhe veten time, para 10 vitesh. Ky propozim ishte një status me protektorat afatgjatë për Kosovën nën Kombet e Bashkuara. Për dallim nga kjo, në planin e Ahtisaarit ky rol i protektoratit parashihet për Bashkimin Evropian. Mendoj se këtë e përmbanë plani i Ahtisaarit. Nuk përmban pavarësi të vërtetë, por një lloj të pavarësisë së kushtëzuar, nën mbikëqyrje evropiane me një numër të gjërë të autorizimeve nga OKB-ja. Nuk mendoj se kjo, aktualisht, është zgjidhja finale e çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa po ju kuptoj, ju mendoni se plani i Marti Ahtisaarit është shumë i komplikuar?

WYNE MERRY
Është shumë i komplikur, por mund të jetë që kompleksiteti është i domosdoshëm në këtë pikë. Plani i Dejtonit për Bosnjë Hercegovinën ishte poashtu në shumë drejtime shumë i komplikuar dhe shumë njerëz sot flasin për rishqyrtimin e Marrëveshjes së Dejtonit, në frymën e kalimit të kohës dhe nga ndryshimi i kërkesave në Bosnjë Hercegovinë. Me gjasë plani i Ahtisarit do të ketë një fat të ngjashëm, pasi është qasje shumë komplekse dhe pas disa vitesh do të jetë e domosdoshme që të zëvendësohet. Kjo është vështirë të thuhet por, megjithatë plani është sipas meje, pa nevojë kompleks. Ky kompleksitet është reflektim i faktit se po përpiqet të arrijë disa gjëra konfliktuoze. Po përpiqet t'i bëjë shqiptarët e Kosovës që të ndjejnë se ata e kanë vendin e tyre, por në fakt, pa atributet e shtetësisë sovrane. Kjo është shumë e vështirë. Zoti Ahtisaari është në njeri shumë inteligjent me përvojë të madhe. Por, ajo që po përpiqet të bëjë është që ta mbajë çështjen e Kosovës, që të mos bëhet krizë përsëri. Kjo nuk është punë e lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ne folëm për kundërshtimin e Rusisë ndaj këtij plani. Moska, përveç tjerash, thotë se Kosova është precedent për disa të ashtuquajtura "konflikte të ngrira" në ish territoret sovjetike. Por Perëndimi thotë se Kosova ësghtë rast unik. Si e vlerësoni ju këtë çështje?

WAYNE MEERY
Gjatë gjithë historisë së diplomacisë ju mund ta trajtoni pothuajse secilën çështje si unike apo si precedent. A është apo jo Kosova rast unik apo precedent varet në tërësi nga të mirat që secila qeveri i zgjedhë që t'i ketë nga ajo. Në këtë kuadër, si Uashingtoni ashtu edhe Moska, po sillen ashtu siç sillen gjithmonë fuqitë e mëdha. Ata po zgjedhin çështjet që i përshkruajnë si çështje që kanë vlerë të precedentit apo që nuk kanë. Ajo që dëshiron Rusia është që Kosova të mos bëhet precedent për dezintegrimin e mëtejshëm brenda vetë territoreve ruse. Kjo, poashtu, paraqet edhe shqetësim serioz për Kinën. Ky është shqetësim edhe për disa vende, siç është për shembull Spanja apo Afrika Jugore. Por ajo që rusët po kërkojnë në këtë çështje është poashtu e lidhur me dëshirën e Rusisë që të vazhdoj të jetë lojtar i rëndësishëm në çështjet evropiane të sigurisë. Për Rusinë, çështja e Kosovës më pak ka të bëjë me Kosovën, me Serbinë ose me Ballkanin perëndimor, por më shumë me dëshirën e Rusisë, që ajo të trajtohet si lojtar i barabartë në çështjet evropiane të sigurisë, përkundër faktit se statusi i Rusisë, si vend relativisht i pazhvilluar sa duhet, nuk e ka atë lloj të standardit përkatës.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG