Ndërlidhjet

logo-print

PËRBËRJA E JURISË SHTYN VENDIMIN PËR SHPALLJEN E KONKURSIT PËR SIMBOLET


Rrahman Paçarizi

Kryesia e Kuvendit nuk arriti as sot të marrë një vendim, lidhur me konkursin për simbolet shtetërore, ndërsa ky vendim mbetet të merret pas një takimi të Kryesisë me Ekipin Negociues, thanë sot anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas një mbledhjeje, e cila ishte thirrur ndër të tjera edhe për këtë çështje. Tash për tash, pikë kontestuese është përbërja e jurisë profesionale, e cila do të bënte vlerësimin e propozimeve për simbolet. Skënder Durmishi, këshilltar për informim i kryetarit të Kuvendit, Kolë Berisha, tha se nuk janë dhënë shumë arsye për shtyrjen e këtij vendimi. “Arsye të veçanta nuk u thanë. Një nga ato që dominojnë në propozimet, që u bënë në këtë rast, ishte që uniteti dhe konsensusi që dominon në Grupin e Unitetit, është shumë e preferueshme të vazhdojë edhe më tutje edhe në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh zoti Durmishi. Ai tha se nuk ka shumë dallime, por duhet të koordinohen teksti i propozuar nga Ekipi i Unitetit dhe ai i një vendimi të mëhershëm të Kryesisë së Kuvendit, rreth shpalljes së konkursit për simbolet shtetërore. Për këtë arsye, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar me konsensus, që Kryesia të takohet edhe një herë me anëtarët e Ekipit Negociues dhe të harmonizojë çështjet që tash për tash janë kontestuese. Shefja e Grupit Parlamentar Ora, Teuta Sahatçija, tha se nuk është qartësuar ende përbërja e jurisë profesionale, se a do të duhet të ishte vetëm në nivel të ekspertëve apo edhe në nivel politik. “Ndryshimi i tekstit që u paraqit sot me tekstin tjetër të mëparshëm, ishte se aty është edhe himni. Propozimi i Ekipit të Unitetit ishte që juria të kishte pesë ekspertë, ndërsa në propozimin e kaluar të Kryesisë ka qenë komisioni, ku përveç ekspertëve, kanë qenë edhe politikanë”, tha zonja Sahatçija. Edhe shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla, tha se ka ende nevojë që të qartësohen gjërat, para se të shpallet konkursi për simbolet. “Mendoj se procedurat duhet të specifikohen më shumë dhe të jenë më të qarta, që njerëzit që konkurrojnë, ta kenë të qartë çka dhe me çka duhet të konkurrojnë”, theksoi zonja Syla. Deri tash, dy gjëra duken të jenë më të qarta: se konkursi do të jetë kombëtar dhe se në të do të përfshihen edhe kërkesat e pakos së Ahtisaarit për çështjen e simboleve. Ndërsa, për kriteret tjera do të vendoset vetëm në një takim të përbashkët të Kryesisë së Kuvendit dhe të Ekipit të Unitetit, që pritet të mbahet së shpejti. Ditë më parë, njohësit e këtyre çështjeve kanë tërhequr vërejtjen, se vonesa e përcaktimit të simboleve do të reflektohet keq në çështjen e dokumenteve të identifikimit dhe dokumenteve të udhëtimit, që Kosova do të ketë pas përcaktimit të statusit.
XS
SM
MD
LG