Ndërlidhjet

AUTORITETET VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE BESOJNË SE KOSOVA ËSHTË E GATSHME PËR TRANZICIONIN


Zijadin Gashi

Kosova është e gatshme për fazën e tranzicionit dhe marrjen e përgjegjësive nga administrata e UNMIK-ut, kanë vlerësuar sot përfaqësues të Qeverisë, UNMIK-ut, si dhe ata të misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë. Pas një takimi të përbashkët të grupeve për tranzicionin, ku bëjnë pjesë strukturat vendore dhe ato ndërkombëtare, u tha se vlerësimet se Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme për të qenë trashëguese të UNMIK-ut, do t’i prezantohen edhe delegacionit të Këshillit të Sigurimit, gjatë vizitës në Prishtinë. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për tranzicionin, Avni Arifi, tha se kosovarët, UNMIK-u dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që Kosova të jetë e gatshme për të përballuar me sukses tranzicionin dhe marrjen e përgjegjësive nga administrata ndërkombëtare. “Ne sot mund të themi, se institucionet e Kosovës, Kosova, janë të gatshme në procesin e marrjes së përgjegjësive të reja dhe në marrjen e obligimeve të tjera, që dalin në procesin në të cilin gjendemi”, theksoi Arifi. Ndërkohë, përfaqësuesi i UNMIK-ut, Bryan Hopkinson, tha se administrata e UNMIK-ut po përgatitet të largohet nga Kosova, por këto takime, sipas tij, kanë për qëllim që edhe pas këtij largimi, në Kosovë të lënë pas vetës struktura funksionale. “Në emër të UNMIK-ut, mund të shpreh besimin, se ditën kur UNMIK-u do të largohet, institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje që të marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë, që do t’u barten nga administrata ndërkombëtare”, tha Hopkinson. Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Javier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom, tha se Kosova do të ballafaqohet me dy sfida, njërën që parasheh marrjen e përgjegjësive nga UNMIK-u dhe sfidën e zbatimit të marrëveshjes për statusin. Sohlstrom tha se kosovarët do të jenë trashëgues të UNMIK-ut, dhe jo misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë. Ndërkaq, lidhur me implikimet e zhvillimeve në Këshillin e Sigurimit, sa i përket vendosjes së misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë, Sohlstrom tha se nuk do të donte të spekulonte në këtë drejtim. “Nuk është punë e jona, që të merremi me spekulimet. Ne besojmë se do të ketë rezolutë të re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit”, u shpreh Sohlstrom. Ndërkaq, në insistimin e gazetarëve, se cilat do të ishin komplikimet nëse një rezolutë e tillë nuk aprovohet, Sohlstrom tha se Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë rezolutën e re dhe nuk dëshiron të besojë se kjo nuk do të ndodhë. Ndryshe, periudha e tranzicionit përfshin fazën prej 120 ditëve, nga dita e miratimit të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit deri në largimin e UNMIK-ut, dhe dorëzimin e kompetencave te kosovarët, por një pjesë të tyre edhe te misioni i ardhshëm civil ndërkombëtar në Kosovë.

XS
SM
MD
LG