Ndërlidhjet

SEJDIU: KS DO TË BINDET SE KOSOVA ËSHTË E GATSHME PËR PAVARËSI


Zijadin Gashi

Anëtarët e Ekipit të Unitetit në Prishtinë janë deklaruar sot të gatshëm të presin misionin e Këshillit të Sigurimit, i cili do të qëndrojë prej sot deri të shtunën në Kosovë, me qëllim të mbledhjes së informacioneve, lidhur me përparimet e bëra në Kosovë që nga mbarimi i luftës e këndej. Ndërsa misioni i Këshillit të Sigurimit dëshiron të shohë se sa është e gatshme Kosova për rezolutën e re, e cila do t’i vë bazat e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, siç ka propozuar presidenti Martti Ahtisaari në dokumentin e tij final, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se ky mision do të kthehet pas me bindjet se Kosova është e gatshme për pavarësi, me një mbikëqyrje civile ndërkombëtare dhe prani ushtarake të NATO-s. “Ne e kemi thënë dhe e themi, se Kosova vërtet ka me çka të prezantohet para çdo vizite të tillë dhe po them në gjithë proceset e mëparshme. Ne kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme, të cilat janë vlerësuar pozitivisht gjithmonë nga ana e Këshillit të Sigurimit, nga raportet që janë dhënë nga përfaqësuesit specialë të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, ju i dini raportet e rregullta”, tha presidenti Sejdiu. Vizita e misionit të Këshillit të Sigurimit në Prishtinë e Beograd, po realizohet sipas nismës së Moskës zyrtare. Presidenti i Kosovës tha se kjo vizitë mbase do të jetë nisma e fundit në procesin e vendimmarrjes për statusin, duke besuar se nuk do të ketë më shtyrje të procesit dhe nxjerrjes së rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit. “Mendojmë se pikërisht kjo vizitë do të jetë përfundim i këtij cikli, të themi të mandatit ndërkombëtar, në kuptimin edhe të marrjes së informacioneve të plota, të fundit të themi, për të gjitha zhvillimet. Për ne është me rëndësi, që vërtet kemi krijuar një ecje pozitive në të gjitha fushat. Është me rëndësi, që në Këshillin e Sigurimit të shkohet me nxjerrjen e rezolutës së re, e cila do të sanksionojë gjendjen e re në bazë të rekomandimeve të presidentit Ahtisaari”, u shpreh presidenti Sejdiu. Po ashtu, edhe kryeministri Agim Çeku tha se për përmbylljen e procesit të statusit deri në fund të muajit maj, duke mos parashikuar shtyrje deri në vjeshtë, siç thuhet në deklarata të ndryshme, nuk angazhohet vetëm Prishtina, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rend të parë, që kanë rolin prijës në këtë proces. “Nuk e kam thënë vetëm unë këtë, jemi dëshmitarë se edhe vet zoti Nikolas Burns e ka thënë këtë. Dhe, kjo bindje vjen nga përkushtimi i aleatëve, partnerëve tanë, që ky proces të përfundojë deri në fund të majit”, theksoi kryeministri Çeku. Misioni i Këshillit të Sigurimit, pas Brukselit e Beogradit, do të qëndrojë në Kosovë prej sot në mbrëmje deri të shtunën. Sipas agjendës zyrtare, nesër, ky mision do të takojë shefin e UNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it. Pastaj, do t’i fillojnë takimet me udhëheqësit vendorë, presidentin e Kosovës dhe Ekipin e Unitetit, kryeministrin dhe ministrat, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, liderët e partive politike, si dhe liderët e partive politike serbe. Ata po ashtu, do të takojnë ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, pastaj Peshkopin Artemie, si dhe kryetarin e Bashkësisë Islame. Delegacioni i Këshillit të Sigurimit, që do të udhëhiqet nga misioni belg, do të vizitojë edhe disa lokacione jashtë Prishtinës. Të premten ata do të vizitojnë edhe Mitrovicën dhe KEK-un. Ndërkaq, të shtunën do ta vizitojnë Rahovecin, Krushën e Vogël dhe Brestovikun, dhe në fund, në Aeroportin e Prishtinës do të mbajnë një konferencë me gazetarë. Pas Prishtinës, ky delegacion është paralajmëruar të vazhdojë për në Vjenë, për të takuar emisarin e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

XS
SM
MD
LG