Ndërlidhjet

SERBËT E ZHVENDOSUR TUBOHEN NË KUFIRIN KOSOVË – SERBI


Rrahman Paçarizi

Disa mijëra serbë të zhvendosur nga Kosova, të cilët tash e disa vjet jetojnë në Serbi, janë mbledhur sot në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në portën e parë në afërsi të Leposaviqit. Ata kanë ardhur nga vende të ndryshme të Serbisë, ku janë strehuar dhe, siç thonë, po kërkojnë të kthehen në Kosovë, ndërsa në autobusët dhe veturat e tyre kanë ngjitur pllakate në të cilat shkruan “duam të kthehemi". Grumbullimi i serbëve të zhvendosur është bërë me qëllim që misionit faktmbledhës të Kombeve të Bashkuara, t’i tërhiqet vëmendja për problemin e moskthimit të mjaftueshëm të serbëve të zhvendosur në Kosovë. Anëtari i Ekipit Negociues të Serbisë, Marko Jakshiq, duke iu drejtuar serbëve të grumbulluar, tha se bashkësia ndërkombëtare e ka bombarduar Serbinë duke e pasur planin që t’ia marrë asaj 15 për qind të territorit, ndërkohë që edhe tetë vjet pas përfundimit të luftës, sipas tij, 250 mijë serbë janë të zhvendosur. “Sot, pas tetë vjetësh, po shohim se ju është dashur të ikni dhe t’i lëshoni vendet tuaja, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet dhe t’u krijohet edhe një shtet”, u shpreh Jakshiq. Ndërkaq, vetë të zhvendosurit e grumbulluar në zonën neutrale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thoshin se nuk do të dëshironin të ktheheshin më në Serbi. Dragisha Stojkoviq nga Fushë-Kosova që jeton aktualisht në Kralevë, tha se qëllimi i tubimit është që delegacionit nga New York-u, t’i bëhet me dije gjendja e rëndë e serbëve të zhvendosur. “Mendoj se ky tubim do të ketë ndonjë efekt, për faktin se këtu do të vijë delegacioni i Këshillit të Sigurimit, të cilët do t’i presim”, tha Stojkoviq, për të shtuar se do të kthehej në shtëpinë e tij në Fushë-Kosovë, sikur të kishte kushte të mjaftueshme sigurie. Ndërkaq, Gordana Momçilloviq nga fshati Sadovinë i Vitisë, e cila aktualisht jeton në qendrën kolektive në Bujanovc, tha: “Kemi ardhur sot këtu, që të përpiqemi për t’u kthyer në vatrat tona. Do të luftojmë me krejt fuqinë që të kthehemi”. Ajo tha se do të kthehej në fshatin e saj të lindjes, sikur t’i krijoheshin kushtet ekonomike dhe të sigurisë, pasi në qendrën e strehimit kolektiv në Bujanovc jetojnë në kushte të vështira. Dragan Krstiq, i cili para luftës ka jetuar në Obiliq, ndërsa tash jeton në qendrën kolektive në Smederevë të Serbisë, tha që nuk beson se do të kthehet më në Serbi. “Unë jam baba i nëntë fëmijëve dhe këtu kam me vete foshnjën gjashtëmuajshe. Kam dëshirë të kthehem në Kosovë dhe që nga ky moment, unë kurrë më nuk do të doja të kthehesha në Serbi”, u shpreh Krstiq. Ai madje tha se edhe po të mos mund të kthehet në vendin e tij të lindjes, shpreson që serbët në pjesën veriore do të tregohen mjaft zemërgjerë, sa për t’i siguruar një strehë të përkohshme në Kosovë, vetëm e vetëm që të mos kthehet më në Serbi. Siç është bërë e ditur, të zhvendosurit nesër, të prirë nga klerikët e Kishës Ortodokse Serbe, do të marshojnë kah kufiri, në mënyrë që në punktin kufitar të dorëzojnë kërkesat e tyre lidhur me kthimin. Këto kërkesa pritet t’u dorëzohen nesër edhe anëtarëve të delegacionit faktmbledhës të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG