Ndërlidhjet

PROBLEMET E MOSKËS RRETH KOSOVËS


"Financial Times"

Pas disa javë përplasjesh nën hije, Moska mund të jetë duke u përgatitur për një betejë me Washington rreth çështjes së Kosovës. Zëvendësministri i jashtëm rus, Vladimir Titov, ka thënë se plani për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës “nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Ky ka qenë sinjali më i fortë deri më tash se Rusia do të mund ta shfrytëzojë veton mbi planin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vendet tjera kryesore të Bashkimit Evropian. Deri më tash, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka shmangur çështjen e vetos, duke thënë se deri në kohën kur rezoluta arrin në Këshillin e Sigurimit “nuk ka se për çfarë të shfrytëzohet vetoja”.
Edhe pse zyrtarët rusë mohojnë se janë duke e zvarritur qëllimisht zgjidhjen, ata thonë se nuk duhet ngutur për të marrë jë vendim. Në këtë kuadër, Yuri Fedotov, ambasadori rus në Londër, u ka thënë gazetarëve: “Nëse kemi pritur disa vjetë, atëherë pse duhet marrim vendim për disa javë?”.
Ky qëndrim i Rusisë duket se i ka rrënjët në katër koncepte. Së pari, Serbia është aleate tradicionale dhe një bazë në Ballkan për kompanitë ruse. Së dyti, Kosova shihet si një mundësi për Rusinë që të rikthejë ndikimin e thellë në Evropë. Kremlini vazhdon të ndihet i fyer me fushatën ajrore të NATO-s në vitin 99’, e cila detyroi Serbinë të largohet nga Kosova. Së treti, Rusia shpreson të shfrytëzojë ndasitë që ekzistojnë tek Bashkimi Evropian rreth planit të zotit Martti Ahtisaari. Dhe së fundi, Rusia ka tërhequr vërrejtjen se nëse shqiptarët e Kosovës e fitojnë pavarësinë pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, atëherë ky do të ishtë precedent për lëvizjet separatiste në botë, veçanërisht në vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Presidenti rus, Vladimir Putin, në mënyrë eksplicite e ka ndërlidhur Kosovën me Kaukazin e trazuar, duke thënë se “duhet të zbatohen parimet e njohura universale". Në Gjorgji, separatistët e mbështetur nga Rusia synojnë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Moska në fakt e njeh integritetin territorial të Gjorgjisë, por gjithashtu u ka dhënë autoriteteve separatiste përkrahje politike dhe financiare. Në Moldavi ndërkaq, Rusia ka propozuar plane unilaterale për t’i dhënë fund konfliktit në mes të autoriteteve moldave dhe udhëheqësve separatisë të Transnistrisë, por njëkohësisht duke injoruar mekanizmat për konsultime në kuadër të Bashkimit Evropian. Dhe megjithëse konflikti në Moldavi nuk është i ndërlidhur fare me konfliktin në Kosovë, qasja unilaterale e Rusisë mund të shihet si përgjigje ndaj asaj që Moska e sheh si përpjekje të Perëndimit për të imponuar zgjidhje të njëanshme në Kosovë.

XS
SM
MD
LG