Ndërlidhjet

JACKSON:"RUSIA DO VË VETO, POR KOSOVA NË VERË E PAVARUR"


Bruce JACKSON, kryetar i Projektit për Demokracitë në Tranzicion/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia me gjasë do të përdor veton në Këshillin e Sigurimit në çështjen e Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

BRUCE JACKSON
Rusia duket shumë e vendosur për të kundërshtuar rezolutën për Kosovën. Tërheqja e saj nga Marrëveshja për armët konvencionale sinjalizon lëvizjen e Rusisë drejt një fazë shumë të ndërlikuar në politikën botërore. Dhe duke pasur këtë orientim Rusia do të vë veto për gjithçka. Pavarësisht nga kjo në Uashington ekziston bindja se statusi final i Kosovës nuk mund të ndalet. Ky është një zotim i Shteteve të Bashkuara, të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Nuk e dijmë ende nëse kjo do të bëhet përmes ndonjë forme të njëanshme ose tranzicionale, por të gjithë e dijnë se në këtë verë Kosova do të ketë një status të pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke kundërshtuar ose zhagitur planin e Ahtisarit, Rusia është duke inkurajuar forcat ekstreme në Beograd, thonë disa analistë. A mund të çojë kjo deri te një konflikt i ri në Ballkan?

BRUCE JACKSON
Nuk mendoj se kjo mund të çojë te ndonjë konflikt. Forcat e NATO-s janë dhe do të mbeten të pranishme në Kosovë. Ajo që mund të ndodhë është minimi i forcave demokratike dhe ardhja e forcave radikale në pushtet në Serbi. Kjo fazë është shumë e dëmshme për forcat e qendres dhe pro – evropiane siç është Boris Tadiç. Pra, rreziku i shpërthimit të dhunës ekziston brenda vetë Serbisë dhe jo në fqinjësi të saj. Ne nuk dëshirojmë kthimin e zhvillimeve si ato me rastin e vrasjes së ish kryeministrit Gjingjiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë në fakt dëshiron Moska duke e kundërshtuar pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën: përçarje brenda Bashkimit Evropian, përçarje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara apo diç tjetër?

BRUCE JACKSON
Ky është pikërisht një synim për të bërë një trazim të interesave të këtilla gjeopolitike. Rusia nuk ka interesa vitale në Ballkan. Krejt ç'është duke bërë Rusia ka për synim destablizimin e sistemit euro- atlantik, përkatësisht të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe jo për shkak të serbëve ose kosovarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Një gazetë britanike paradokohe theksoi se kundërshtimi i Putinit ndaj pavarësisë së Kosovës ka të bëjë me synimin e Moskës për të rivënë ndikimin e vetë në fqinjësinë e teritoreve ish – sovjetike. A është kjo e mundur?

BRUCE JACKSON
Rusia përmes prononcimeve synon të lë përshtypjen se është fuqi e madhe dhe duhet të konsultohet për të gjitha gjërat. Në këtë funksion ata thonë se nuk përjashtojn as përdorimin e vetos për çështje të caktuara. Zoti Putin është duke tentuar të rikthejë rolin e superfuqisë së Rusisë nga shekulli i XIX-të dhe këtu qëndron esenca e aksioneve të tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara që kërkojnë injorimin e kërcënimit të Rusisë me veto dhe pastaj njohjen bilaterale të pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës. Si e komentoni ju këtë çështje?

BRUCE JACKSON
Nuk mendoj se njohja për shembull dikur e Sllovenisë nga kushdo mund të trajtohej si akt unilateral. Njohja ndërkombëtare konsiston në faktin nëse shtetet tjera duan të njohin sovranitetin dhe pavarësinë e një vendi. Ne konsiderojmë se nëse do të ketë deklarim unilateral, së paku gjysma e shteteve të botës menjëherë do të njohin Kosovën. Ajo që do të mbetet pastaj është mbikqyrja e shtetit të ri kosovar në vitet e para deri sa të aftësohet për t'u kujdeusr për pakicat, trashëgëminë kulturore...Plani i Ahtisarit nënkupton edhe përforcimin e aftësive të kosovarëve në këtë plan. Besoj se bashkëpunimi i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në këtë plan do të rezultoj pozitivisht në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Bashkimi Evropian do të jetë unik sa i përket Kosovës dhe a është Kosova testi më serioz për BE-në?

BRUCE JACKSON
Është e qartë se projekti i parë pas vitit 1989 ishte Ballkani dhe statuset finale si ky i Kosovës. Statusi i Kosovës bashkë me hyrjen e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në strukturat evro – atlantike janë imperativ për përfundimin e këtij projekti. Pas emrimit të Ahtisarit, para një viti, ka qëndruar pikërisht Evropa dhe që atëherë ka qenë i ditur ky vendim dhe rrjedhimisht ai nuk mund të paraqet befasi për askë. Megjithate disa vendi siç janë Sllovakia dhe Spanja shohin rrezik te precedenti për pakicat e tyre. Por, në zgjidhjen e situatave të konfliktit nuk ka precedente, sepse secili prej tyre ka specifikat e veta. Ideja se rasti i Kosovës paraqet precedent që mund të destabilizoi të tjerët është krejtësisht i gënjeshtërt. Sa i përket Bashkimit Evropian ai ka politikë unike për Kosovën dhe dallime të rëndësishme rreth Kosovës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nuk ka.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG