Ndërlidhjet

KOSOVA FALËNDERON AMERIKËN


Bekim Bislimi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur dhe kanë ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës në ditët më të vështira, para lutës, gjatë luftës dhe pas saj. Kjo përkrahje nuk po mungon as sot për ta mbështetur pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, si zgjidhje e statusit politik të saj, dhe shqiptarët edhe një herë shprehin falënderimin e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu thotë Agim Rexhepi, drejtues i organizatës joqeveritare ‘Shoqata Miqtë e Amerikës - Miqtë e Bill Klintonit’. Kjo shoqatë, tash e dy ditë, ka nisur fushatën e falënderimit për SHBA-të dhe nëpër të gjitha qendrat kosovare, ka vendosur mijëra pano me flamurin amerikan, mbi të cilin është shënuar në gjuhën angleze ‘Thank You’ ose ‘Faleminderit’. Lidhur me këtë aktivitet, zoti Rexhepi thotë: “Ne si shoqatë, si individë ose si aktivistë të kësaj shoqate, kemi dashur që në njëfarë mënyre, t’i shprehim publikisht edhe një herë një falënderim shtetit amerikan, një falënderim popullit amerikan, për të gjithë atë që kanë bërë gjatë historisë, e në veçanti gjatë kohës së luftës. Por, të themi, më së shumti po bëjnë tash, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve politike në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare të SHBA-ve, ku diplomacia amerikane po luan një rol jashtëzakonisht të madh rreth arritjes së pavarësisë së Kosovës”. Zoti Rexhepi shtoi se aktivistët e shoqatës që ai drejton, do të vazhdojnë edhe sot me shpërndarjen e panove nëpër Kosovë, ku falënderohen SHBA-të dhe tha se ditëve të ardhshme, do të vazhdojë fushata e falënderimit edhe për faktorët tjerë ndërkombëtarë të cilët, siç tha ai, mbështesin pavarësinë e Kosovës. “Do t’i falënderohemi me pano adekuatë edhe Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Bashkimit Evropian. Mirëpo, në panotë e Bashkimit Evropian njëkohësisht, jashtë strukturës, do të jenë të vendosur logoja e OKB-së, logoja e NATO-s dhe logoja e Zvicrës ose flamuri zviceran, sepse shteti i parë që e ka përkrahur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës është Zvicra”, shprehet zoti Rexhepi. Ai shton se, falënderimet e sinqerta të shqiptarëve të Kosovës për SHBA-të, do të shprehen edhe përmes formave të tjera. Sipas zotit Rexhepi, shoqata “Miqtë e Amerikës - Miqtë e Bill Klintonit” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë organizuar pjesëmarrjen vullnetare të nxënësve të shkollave të Kosovës, për të shkruar esetë me temën ‘Letër mikut tim amerikan që vepron dhe punon në Kosovë, larg familjes së tij’. “Këta ese, deri më tash i kemi grumbulluar përmes ministrisë më se 1000 copë. Do t'i fotokopjojmë, ndërsa më vonë, do me thënë pasi të grumbullohet komplet sasia, letrat origjinale do t’ua dërgojmë institucioneve amerikane, qoftë Zyrës Amerikane, qoftë kampit Bondsteel”, thotë zoti Rexhepi. Duke ju referuar moshës së nxënësve, sipas zotit Rexhepi, esetë e tilla do të përmbajnë sinqeritetin e fëmijëve. “Strukturat udhëheqëse amerikane ose mediat amerikane janë të vetëdijshme që kanë një përkrahje nga ne, shqiptarët, kanë respekt dhe gëzojnë një reputacion të lartë. Mirëpo, qëllimi është që të shohin se çfarë mendojnë fëmijët, sa do ta kenë të sigurt këtë përkrahje në të ardhmen, sepse fëmijët shkruajnë nga zemra, ashtu si mendojnë”, thekson zoti Rexhepi. Sidoqoftë, ai pohon se esetë që do të vlerësohen më të mirët, do të seleksionohen, përkthehen në gjuhën angleze dhe do të botohen në formë të librit, i cili pritet të dalë në dritë afërsisht pas dy muajve. “Atë libër mendojmë t’ua distribuojmë të gjitha zyrave diplomatike, e në veçanti Zyrës Amerikane, e më pastaj institucioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, bibliotekave kombëtare në Kosovë e Shqipëri, bibliotekave me reputacion të lartë në Evropë, dhe posaçërisht një sasi do t’ua dërgojmë fondacionit ‘Bill Klinton’ në Amerikë. Pjesën e fundit apo finale të librave, mendojmë t’ua dërgojmë një sasi kongresistëve dhe senatorëve amerikanë, dhe një sasi mediumeve më të fuqishme amerikane”, përfundon zoti Rexhepi.
XS
SM
MD
LG