Ndërlidhjet

NË KOSOVË SHËNOHET DITA E TË PAGJETURVE


Nadie Ahmeti

Edhe tetë vjet pas përfundimit të luftës, 2082 persona vazhdojnë të llogariten si të pagjetur në Kosovë, dhe fati i tyre duhet patjetër të ndriçohet, thanë përfaqësues të asociacionit të familjarëve të personave të zhdukur, në Ditën e të Pagjeturve në Kosovë. Arif Muçolli, koordinator i Qeverisë për çështjen e të pagjeturve, tha se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me administratën ndërkombëtare, ka arritur që nga numri i përgjithshëm 5980, sa kanë qenë të evidentuar si të zhdukur që prej përfundimit të luftës, të identifikojë mbi 3900 persona. ”Është një punë që është bërë, jo edhe e lehtë, sepse ka qenë e mundimshme, duke marrë parasysh se të gjithë ata që janë zhdukur, janë zhdukur me paramendime, me skenar të veçantë, dhe me qëllim të zhdukjes së gjurmëve. Mirëpo, kemi arritur që të vijmë deri te këto rezultate, të cilat për ne nuk janë të kënaqshme”, thotë zoti Muçolli. Haki Kasumi, kryetar i asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, tha se që prej përfundimit të luftës e deri më tani, 900 trupa të pajetë të shqiptarëve janë riatdhesuar nga Serbia në Kosovë. “Procesi i kthimit të trupave të pajetë nga Serbia ka përfunduar që më 30 qershor të vitit të kaluar. Sot rivarrosen 22 martirë të Kosovës. Nga Serbia janë kthyer 900 trupa. Dhe aktualisht, Kosova kërkon edhe 2082 njerëz të saj”, theksoi zoti Kasumi. Ndryshe, Arif Muçolli pohon se tashmë ka informacione, se në Serbi gjenden edhe disa vende të dyshuara si varreza masive, dhe për fshehjen e deritashme të gjurmëve, ai e akuzon Serbinë, për, siç thuhet, krim të dyfishtë. “Ne mendojmë se ky është krim i dyfishtë. Ta kidnaposh, ta rrëmbesh një njeri, ta vrasësh dhe në fund ta fshehësh, është krim i dyfishtë. Mendoj se për këtë, ata mundohen t’i ikin kësaj përgjegjësie”, shprehet zoti Muçolli. Haki Kasumi, thotë se 2082 trupat e shqiptarëve, për të cilët ende nuk dihet gjë, vazhdojnë të jenë peng i interesave politike të Qeverisë së Beogradit. Arsyetimi se nuk po mundet të bëhet identifikimi i tyre, për asociacionin e familjarëve të personave të pagjetur, është i papranueshëm, tha zoti Kasumi. “Mbi të gjitha dhe para së gjithave, është interes i Serbisë, pasi ajo mundohet të shfrytëzojë edhe dhimbjen edhe çdo gjë që ka mundësi, për interesa të veta politike”, u shpreh zoti Kasumi. Ndryshe, pikërisht në Ditën e të Pagjeturve, sot në atë që njihet si Lëndina e Pikëllimit në Mejë, janë rivarrosur edhe 22 trupa të pajetë, të kthyer nga Serbia. Zoti Kasumi tha se kjo është një rastësi, që përkon edhe me misionin faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit, i cili ka mundësi të njihet nga afër me, siç thotë ai, krimet e bëra nga pushteti serb. “Është koincidencë pozitive, sepse ne sot vërtet, përveç argumenteve të tjera, mund t’u japim edhe fotografitë e qarta të vuajtjeve dhe tendencave të pushtetit okupues serb, për zhdukjen e njerëzve”, tha zoti Kasumi. Sidoqoftë, nga 2082 persona që llogariten si të pagjetur, 1358 janë shqiptarë, 523 janë serbë, ndërkaq 201 janë anëtarë të grupeve të tjera etnike.
XS
SM
MD
LG