Ndërlidhjet

MISIONI FAKTMBLEDHËS TAKON PËRFAQËSUESIT SERBË NË VERI


Rrahman Paçarizi

Ambasadori belg në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Johan Verbeke, që po kryeson misionin faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, tha sot në pjesën veriore të Mitrovicës, se informacionet që kishin marrë nga liderët e serbëve të Kosovës dhe nga përfaqësuesit e komunave veriore, ishin të rëndësishme për njohjen e realitetit në këtë pjesë të Kosovës. Këto komente, zoti Verbeke i bëri sot pasdite, pas takimeve që delegacioni i kryesuar nga ai, pati me udhëheqës të serbëve të Kosovës. “Këto takime na kanë dhënë ide të rëndësishme, se çfarë është realiteti në Mitrovicën veriore dhe në pjesën veriore të Kosovës”, tha Verbeke, duke shpjeguar se synimi i këtij misioni është që të marrë sa më shumë informacione, në mënyrë që kur të kthehen në New York, të kenë një pikëpamje të qartë lidhur me realitetin në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore. Ambasadori Verbeke tha se vetëm pasi përmblidhet i gjithë ky mision, delegacioni do të jetë në gjendje të raportojë para Këshillit të Sigurimit. “Si grup, ne do të raportojmë në Këshillin e Sigurimit dhe nga aty, do të vazhdojmë nxjerrjen e qëndrimeve dhe konsultimeve tona”, u shpreh Verbeke. Delegacionit faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i është dorëzuar sot një listë me 19 kërkesa të serbëve të zhvendosur nga Kosova. Këta të fundit, disa mijëra syresh janë mbledhur dje dhe sot në zonën neutrale në kufirin Kosovë-Serbi, në afërsi të Leposaviqit, për t’ia bërë me dije delegacionit nga New York-u, gjendjen e vështirë të serbëve të zhvendosur dhe pamundësinë e tyre për t’u kthyer në Kosovë. Ata kanë kërkuar që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në vendet e tyre të punës, që i kanë mbajtur para luftës, si dhe mbrojtje permanente nga UNMIK-u dhe KFOR-i, siç janë shprehur në kërkesat e tyre. Sot, rreth mesditës, serbët e tubuar janë shpërndarë, pa u përpjekur të hyjnë në Kosovë, dhe janë kthyer në vendbanimet e tyre të përkohshme në Serbi.
XS
SM
MD
LG