Ndërlidhjet

ÇAGLLAVICË: EURO VS DINARI


Albana Isufi

Bajram Krasniqi ka katër vjet që jeton në Çagllavicë, fshat ky në dalje të Prishtinës, i banuar me shumicë serbe. Krasniqi, pak kohë pas konfliktit të vitit 1999, nuk ka hezituar të blejë 6 hektarë tokë nga serbët e Çagllavicës. Tash ka lidhur miqësi me banorët serbë të fshatit. ”Nuk ka ditë, që te njëri nuk shkoj të pi kafe apo raki. Edhe ata vijnë këndej, i kanë tokat pas meje, i kam lëshuar nëpër rrugë të mia, i kanë shfrytëzuar me traktorë, i kanë punuar. Kurrë askush një fjalë të keqe nuk ua ka thënë, por as ata nuk i kanë thënë askujt fjalë të keqe”, thotë Krasniqi, i ulur në një restorant luksoz, në mes të Çagllavicës, ndryshe e njohur edhe si enklavë serbe, në të cilën funksionojnë strukturat paralele të financuara nga Qeveria serbe. Këtu edhe më tej, nuk kanë shtrirje institucionet qendrore të Kosovës. Blerja e tokave nga serbët dhe ndërtimi i shumë shtëpive të reja nga shqiptarët, ka bërë që dallimet në Çagllavicë të thellohen, tashmë jo vetëm nga aspekti etnik. Shtëpitë e vjetruara, veturat me targa të vjetra PR, reklamat me shkronja cirilike nëpër dyqane apo kafene, e karakterizojnë pjesën e banuar me serbë. Ajo shqiptare karakterizohet me ndërtesa të larta, shtëpi të reja banimi, si dhe vende - vende shihen edhe logot e institucioneve kosovare. Po si jetohet në këtë fshat, që tashmë dalëngadalë duket se po i bashkohet Prishtinës?! Sava Zhiviq flet për pjesën serbe. “Çfarë të them, nuk është jetë plotësisht normale, por të themi se ndoshta diku 70 për qind i afrohet normalitetit. Çështja kryesore është liria, dhe të tjerat vijnë më pas, këtu nënkuptohet liria e lëvizjes. E ne, brenda në fshat, nuk kemi probleme të lirisë së lëvizjes, por që të dalësh më larg, për të blerë diçka, apo ndonjë arsye tjetër, atëherë duhet me përcjellje të SHPK-së”, thotë Sava Zhiviq, teksa blen gjëra ushqimore në një nga dyqanet e fshatit, në të cilin për shitblerje përdoret dinari serb, e jo euro-ja, që është valutë zyrtare në Kosovë. Zhiviq thotë, se në 8 vjetët pas luftës, ka qenë vetëm një herë në Prishtinë, e cila gjendet vetëm 10 minuta larg fshatit. Po, a u rrezikohet vërtet jeta serbëve, apo kjo është vetëm frikë për t’u ballafaquar me realitetin? Fqinji i ri i serbëve, Bajram Krasniqi, duke shkëputur fragmente nga jeta e tij e përditshme, thotë se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve është e mundur. “Unë nuk kam asnjë problem. Jo vetëm unë, por nuk di se dikush në lagje ka probleme me ta. E kam marrë (serbin), e kam dërguar me veturë në qytet, i kam thënë ‘zbrit dhe bindu’. Kam folur me të serbisht rrugës, kemi hyrë në një lokal dhe kemi kërkuar pije në serbisht, për të parë se si do të reagojë, dhe ai është befasuar”, tregon Krasniqi për një fqinjin e tij serb. Por, Borivoje Deniq, të cilin nga shtëpia e Krasniqit e ndan vetëm rruga kryesore, nuk beson fare në bashkëjetesë. “Unë nuk e di se si është Prishtina. E çfarë jete është kjo? Kjo nuk është jetë. Nuk kam provuar të shkoj dhe nuk do të shkoj. Shqiptarët nuk po pranojnë asgjë çfarë po kërkojnë serbët”, shprehet pensionisti serb, Borivoje Deniq, teksa fliste me disa të rinj para shtëpisë së shëndetit, e cila financohet edhe nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga ajo serbe. Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë kosovare pohojnë, se liria e lëvizjes nuk paraqet më problem për serbët e Kosovës. Zëvendësministri i Kthimit, Nazmi Fejza, thotë se në selinë e Ministrisë që gjendet në qendër të Prishtinës, punëtorët serbë vijnë pa ndonjë problem dhe pa pasur nevojë për përcjellje. “Unë mund t’ju them, një nga rastet po e zëmë, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim punojnë të gjitha komunitetet. Ka edhe serbë nga katër anët e Kosovës dhe çdo ditë pa përcjellje vijnë në punë, dalin tregtojnë nëpër Prishtinë dhe kthehen në shtëpi, pa asnjë problem dhe pa asnjë frikë”, pohon Fejza. Serbët e Kosovës, nga viti 2004, kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në institucionet e udhëhequra nga shumica shqiptare, pavarësisht se ka pasur apele të shumta nga të gjithë për t’iu kthyer institucioneve. “Është për të ardhur keq, që serbët e Kosovës kanë kufizuar përfitimet, që kanë përmes procesit të standardeve, duke zgjedhur që të mos bashkëpunojnë me autoritetet e Prishtinës. Mesazhi im për ta, është që të marrin pjesë në procese, siç janë standardet, pasi do të ketë rezultate më të mira, sesa të rrinë jashtë procesit. Nuk është korrekte, që të izolosh vetveten e më pas të ankohesh për atë izolim”, thekson shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ndryshe, nga politikanët dhe banorët serbë, që shpesh janë skeptikë mbi të ardhmen e përbashkët në Kosovë, disa nga liderët ortodoksë të cilët kanë ndikim të madh në mesin e popullatës serbe, besojnë në tolerancën ndëretnike dhe bashkëjetesën. Një nga ta është peshkopi Teodosije, që është përgjegjës për Manastirin e Deçanit, manastir ky që tashmë ruhet si trashëgimi kulturore nga UNESCO-ja. “Si murg, por edhe si njeri, kam shpresë se është e mundur të gjendet mënyra se si të jetohet, pasi që serbët dhe shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në Kosovë gjithmonë së bashku. Por, tash është nevojshme që të ndërmerren masa të veçanta, sidomos rreth statusit dhe të drejtës së serbëve. Dhe, nëse kjo definohet në mënyrën e duhur, atëherë do të ketë bashkëjetesë. Por, nëse do të ketë diskriminim, frikësohem se serbët nuk do të durojnë një tretman të tillë, që do të ishte shumë keq, jo vetëm për serbët, por edhe për të tjerët”, vlerëson peshkopi Teodosije. Analistë të ndryshëm e shohin zhvillimin ekonomik, si një nga mundësitë e integrimit të serbëve dhe shqiptarëve. Në një raport të Paralajmërimit të Hershëm, të publikuar së voni nga UNDP-ja, thuhet se 79 për qind e serbëve të anketuar, do të dëshironin të punonin së bashku me shqiptarët, ndërkaq janë 43 për qind e shqiptarëve, që do të pranonin të njëjtën. Anthony Welch, ish-koordinator i Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme, që ka përpiluar një raport voluminoz mbi arkitekturën e sigurisë në Kosovë, thotë se plagët e hapura gjatë konfliktit në Kosovë, është vështirë të shërohen. “Nevojitet kohë, që këto plagë të mbyllen dhe shërohen në mënyrë të duhur. Dhe natyrisht, plagët lënë vragë që do mbesin gjithmonë. Por, e vetmja mënyrë që Kosova të mbijetojë, të përparojë, është që të gjithë ata që jetojnë në territorin e Kosovës, të punojnë së bashku. Do të marrë kohë, deri sa të kuptohet kjo. Por, që Kosova të ketë sukses në të ardhmen, kjo vërtet duhet të ndodhë. Nëse nuk ndodh, nuk do të ketë të ardhme”, thekson Anthony Welch.

XS
SM
MD
LG