Ndërlidhjet

logo-print

KHALILZAD: ÇËSHTJE JAVËSH DERI KUR DO TË MIRATOHET REZOLUTA PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Kosova ka bërë shumë përparime dhe është vetëm çështje e javëve, kur statusi i saj do të zgjidhet përmes një rezolute, e cila do të bazohet në pakon e propozuar nga presidenti Martti Ahtisaari, ka pohuar sot në Prishtinë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad. Ambasadori amerikan i bëri këto komente, në kuadër të vizitës që një mision prej 15 anëtarësh i Këshillit të Sigurimit po i bën Kosovës, me qëllim që të shohë të arriturat dhe kapacitetet e Kosovës, për të zbatuar pakon e Ahtisaarit, e cila parasheh një pavarësi të mbikëqyrur me prani civile e ushtarake të NATO-s. Ambasadori Khalilzad tha, se procesi i Kosovës duhet të përmbyllet me konkluzione pozitive rreth të arriturave të saj, për çka ai tha se i ka përgëzuar autoritetet lokale. “Mendoj se rezoluta e re do të miratohet brenda disa javëve, sepse kjo nuk është çështje e një vendi, por e shumë vendeve me të cilat duhet konsultuar. Por, besoj se kjo është çështje javësh”, tha ambasadori amerikan. Ndërkaq ambasadori belg, Johan Verbeke, i cili po i prin këtij delegacioni, tha se qëllimi i kësaj vizite është që të dëgjohen informacione nga dora e parë, para se të merren vendime për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. “Ne do të kthehemi në New York dhe do t’i fillojmë konsultimet, për të parë se si do të zhvillohet tutje kjo çështje”, tha Verbeke. Kurse, ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Jean-Marc de La Sabliere, tha se është i impresionuar me angazhimin e Prishtinës për zbatimin e propozimit të Martti Ahtisaarit, veçanërisht në aspektet që kanë të bëjnë me pakicat. “Kemi ardhur këtu, për ta kuptuar më mirë problemin e Kosovës, sepse nevojitet përgjegjësi për të marrë këtë vendim shumë të rëndësishëm”, u shpreh ambasadori francez. Ai nuk deshi të komentojë asgjë, lidhur me propozimet e reja eventuale për statusin e Kosovës, duke përsëritur qëndrimin e Francës në mbështetje të pakos së Ahtisaarit. “Franca e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, sa i përket kësaj pakoje. Kosova është në fazën finale, kështu që Këshilli i Sigurimit, e veçanërisht Franca, do të tregojë përgjegjësi të madhe”, theksoi ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara. Në anën tjetër, përfaqësuesit kosovarë thanë se kanë prezantuar para delegacionit të Këshillit të Sigurimit, argumente të shumta që dëshmojnë se pavarësia e Kosovës është zgjidhje e drejtë dhe e vetme për statusin e saj. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se nuk priten shtyrje të tjera, dhe pas kthimit në New York të këtij delegacioni, ai tha se beson që mbetet muaji maj, si kohë optimale kur Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë rezolutën e re për Kosovën. “Unë besoj, se nuk do të ketë debat të gjatë. Parashihet që vërtet muaji maj të jetë muaj vendimtar për këtë aspekt të punës, që do të ketë Këshilli i Sigurimit. Dhe, ne presim që vërtet do të nxirret rezoluta e re”, ka theksuar presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku tha se e ka njoftuar, se Beogradi është ai, i cili po i mban peng serbët që të kthehen dhe të integrohen në shoqërinë kosovare. “Beogradi duhet t’i lejojë serbët të kthehen dhe të integrohen. Në këtë rast, neve na duhet, që Beogradi t’i lejojë serbët e Kosovës të kthehen në Kosovë dhe të integrohen. Ne mund të bëjmë çmos, mund të alokojmë mjete, mund të ndërtojmë shtëpia. Ne edhe misionin e informuam se kemi ndërtuar shtëpia, por shtëpitë janë të zbrazëta, sepse serbët kanë pengesa dhe ato pengesa nuk vijnë nga ne, por nga Beogradi”, tha kryeministri Çeku. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shteti i Kosovës nuk ndërtohet vetëm për shumicën, por edhe për pakicat. Ai tha se pala kosovare ka ofruar disa argumente, që dëshmojnë se për Kosovën nuk ka zgjidhje tjetër të pranueshme, përveç pavarësisë së saj. “Lufta që ka zhvilluar populli i Kosovës dhe gjenocidi në Kosovë, prandaj ne theksuam qartë, se për Kosovën dhe popullin e saj ka vetëm një zgjidhje, pavarësia e plotë. Kjo garanton paqe e stabilitet në Kosovë e rajon, dhe është zgjidhja më e mirë edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe gjithë botën demokratike”, vlerësoi Thaçi. Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe, ka pohuar pas takimit me Këshillin e Sigurimit, se plani i Ahtisaarit është i papranueshëm për serbët dhe këtë ia ka bërë të ditur edhe këtij delegacioni. “Plani i Ahtisaarit është i papranueshëm, ngase nuk ka asnjë serb që konsideron se pavarësia është bazë, mbi të cilën ata në Kosovë të mund të mbeten dhe të jetojnë tutje”, tha Nojkiq. Misioni 15 anëtarësh i Këshillit të Sigurimit, që udhëhiqet nga ambasadori belg, Johan Verbeke, po qëndron nga mbrëmë në Kosovë, me qëllim të mbledhjes së informacioneve, lidhur me përparimet e bëra në Kosovë, që nga mbarimi i luftës e këndej. Fillimisht, ky delegacion sot ka takuar shefin e UNNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it. Ndërkaq, pas shumë takimeve me përfaqësuesit politikë kosovarë, ky delegacion deri në fund të ditës po realizon vizita në Graçanicë, Mitrovicë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Nesër, në agjendën e këtij delegacioni janë dhe vizitat në Rahovec, Krushë e Brestovik. Kurse para largimit nga Kosova, në Aeroportin e Prishtinës, ky delegacion do të mbajë një konferencë me gazetarë.

XS
SM
MD
LG