Ndërlidhjet

DEBAT PËR POZITËN E GRUAS NË VENDIMMARRJE


Nadie Ahmeti

Pozita e grave në proceset vendimmarrëse në gjithë rajonin është në nivel shumë të ulët, dhe në këtë pozitë gjenden edhe gratë kosovare. Kështu ka pohuar Petra Blass, përfaqësuese e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, në një debat të organizuar në Prishtinë. Sipas saj, edhe në rastin e Kosovës është krijuar një lloj bindjeje, se gratë nuk mund të jenë në pozitat udhëheqëse të institucioneve dhe se meshkujt janë ata që duhet të jenë në këto pozita. “Kemi shembullin e fundit në Kosovë, në Grupin Negociator të Kosovës nuk ka asnjë femër”, thotë zonja Blass, duke shtuar se do të ishte shumë më mirë, sikur të kishin qenë pjesëmarrëse edhe femrat. Ajo thotë se është e befasuar me mospërfshirjen e femrave në proceset vendimmarrëse, aq më tepër nëse merret parasysh niveli i lartë i arsimimit që kanë këto femra. “Unë e di se Kosova ka shumë femra të shkolluara, me nivel të lartë të arsimimit. Por, në shtypin ndërkombëtar, kur flitet për Kosovën, gjithmonë dalin vetëm fytyra të meshkujve”, thotë zonja Blass. Edhe Hatixhe Hoxha, deputete nga Partia Demokratike në Kuvendin e Kosovës, thotë se me gjithë faktin se 30 për qind të Parlamentit e përbëjnë femrat, pozita e tyre në vendimmarrje është nën nivel. “Në Kuvend, vërtet 30 për qind e grave janë deputete, por në pozita vendimmarrëse nuk janë. Asnjëra nuk është në Kryesinë e Kuvendit. Në Qeveri është e njëjta gjë, vetëm një ministre dhe zëvendësministre e kemi. E njëjta gjë është edhe në institucionet tjera kulturore, arsimore dhe shëndetësore, që në pozita vendimmarrëse nuk janë gratë”, thekson zonja Hoxha. Por, Liljana Popovska, deputete në Parlamentin e Maqedonisë, pohon se pozita e femrës në proceset vendimmarrëse është e kënaqshme. Ajo thotë, se gratë nga Maqedonia janë aktive në të gjitha proceset. “Ne kemi më shumë pozita vendimmarrëse, sesa që jemi në Parlament. Në Parlamentin e Maqedonisë janë të pranishme 37 deputete, ndërkaq në pozita vendimmarrëse gjenden 50 femra”, shprehet zonja Popovska. Sidoqoftë, përfshirja e femrave në institucionet kosovare është e kushtëzuar nga një rregullore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, sipas së cilës 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore. Mirëpo, një rregullore e këtillë, për organizatat joqeveritare, paraqet imponim dhe jo një vullnet për përfshirje të mirëfilltë të femrës në proceset vendimmarrëse.
XS
SM
MD
LG