Ndërlidhjet

KRUSHA E VOGËL I DËSHMOI MISIONIT TË KS-SË KRIMET E REGJIMIT SERB


Albana Isufi

Të mbledhur në oborrin e shkollës, mbi 80 gra të veja nga Krusha e Vogël dhe mbi 100 fëmijë, që në duar mbanin fotografitë e prindërve të tyre të vrarë nga forcat serbe më 1999, kanë pritur sot misionin informues të Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesi i fshatit, Agron Limani, i ka njoftuar ambasadorët e Këshillit të Sigurimit me ngjarjen e 26 marsit të vitit 1999, ku forcat serbe kishin vrarë pothuaj të gjithë meshkujt e fshatit, duke lënë 82 gra të veja dhe 142 fëmijë bonjakë. “Rreth 70 për qind e meshkujve, nga mosha 13 vjeçare deri në moshën 90 vjeçare, janë zhdukur”, u tha Limani ambasadorëve, të cilët ishin ulur përballë grave të Krushës, të cilat nuk përmbanin dot vajin. Zëvendëspërfaqësuesja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Karen Pierce, i tha Radios Evropa e Lirë, se popujt në Kosovë kanë kaluar gjëra të tmerrshme dhe tani është koha, që të kërkohet një e ardhme më e mirë. “Shumë gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në Kosovë, dhe u kanë ndodhur të dy komuniteteve. Mendoj se është e rëndësishme, të mendohet se çfarë të ardhme dëshiron Kosova, dhe si mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët”, u shpreh ambasadorja Pierce. Ambasadorët e Këshillit të Sigurimit kanë vizituar të gjitha vendet, në të cilat më 25 dhe 26 mars të vitit 1999, ishin dërguar dhe më pas vrarë 103 meshkuj të Krushës së Vogël. Nëntë meshkuj ishin marrë dhe zhdukur nga forcat serbe një ditë më parë, për të çuar numrin e të vrarëve dhe të zhdukurve në 112. Një nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës, Lutfi Ramadani, u ka treguar ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit, vendet në të cilat i kishin detyruar forcat serbe të shkonin, aty ku kishin ndarë gratë e fëmijët nga burrat, për të vrarë më pas meshkujt, por, siç thotë dëshmitari, duke mos kursyer as të miturit e të moshuarit. “Na kanë urdhëruar të ngrihemi në këmbë, tre nga tre, t’i ngrisim duart, dhe na kanë dërguar në stallë”, u rrëfeu ambasadorëve dëshmitari Lutfi Ramadani. Me dëshminë e Ramadanit, edhe ka përfunduar vizita e misionit të Këshillit të Sigurimit në Krushë të Vogël. Përfaqësuesi i shoqatës për të zhdukurit “26 Marsi”, Agron Limani, tha se dëshmia e të mbijetuarve, nënat dhe fëmijët bonjakë, të mbledhur në oborrin e shkollës, mund t’u kenë bërë përshtypje ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët në Kosovë kanë ardhur për t’u njohur më për së afërmi me gjendjen në terren. “Shumica e tyre, natyrisht, u ndjenë mjaft keq, duke dëgjuar ngjarjen se çfarë ka ndodhur në fshatin tonë”, tha Agron Limani. Para vizitës në Krushë të Vogël, Misioni i Këshillit të Sigurimit është ndalur në Rahovec, ku është takuar me zyrtarët shqiptarë, si dhe ata serbë të qytetit, për t’u njoftuar me gjendjen në qytetin e përzier etnikisht. Serbët kanë shprehur pakënaqësinë për, siç kanë thënë, lirinë e kufizuar të lëvizjes, ndërkohë që pas largimit të delegacionit të Këshillit të Sigurimit, disa serbë të Rahovecit kanë thënë se takimi me ambasadorët nuk ka qenë tjetër, pos një teatër i thjeshtë.

XS
SM
MD
LG