Ndërlidhjet

VERBEKE: VIZITA KA PËRAFRUAR QËNDRIMET NDËRMJET ANËTARËVE TË KS-SË


Rrahman Paçarizi

Shpresojmë se pas kësaj vizite, qëndrimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit do të përafrohen, tha sot në fund të vizitës në Kosovë, kryesuesi i misionit faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit, ambasadori belg Johan Verbeke. Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Aeroportin e Prishtinës, në fund të vizitës. Verbeke tha se do të punohet në Këshillin e Sigurimit, do të përpunohet materiali që është marrë dhe informacionet, por nuk do të nguten në marrjen e vendimit; ata nuk kanë dhënë ndonjë afat se kur do të jetë i gatshëm raporti. Ambasadori Verbeke tha se misioni ka marrë një mesazh të mirëbesimit dhe të një pikëpamjeje të qartë dhe të artikuluar, lidhur me atë se çfarë mund të jenë politikat e së tashmes dhe të së ardhmes. “Ajo që kemi ndier është se ka mjaft potencial për mirëbesim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, për të realizuar qëllimin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën”, tha ambasadori belg në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Johan Verbeke. “Ne pamë se pikëpamjet e tyre janë po ashtu pikëpamje të besimit në të ardhmen, dhe prandaj, na duhet të punojmë edhe më shumë për të siguruar më shumë mirëbesim dhe vullnet, për të punuar së bashku për një shoqëri multietnike”, u shpreh Verbeke. Sipas tij, qëllimi i këtij misioni ishte që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të jenë plotësisht të informuar, dhe kjo do të thotë që të mbushet zbrazëtira ndërmjet asaj që kanë ditur nga raportet që i kanë pasur në tavolinë dhe realitetit në Kosovë. Ne kemi pasur qëllim që të mbledhim informacione nga dora e parë, prandaj tash ndihemi më të pajisur me informacionet e duhura për të vazhduar punën tonë, lidhur me propozimin për statusin, tha Verbeke. “Natyrisht se ka dallime të vogla në mesin tonë, mirëpo këto dallime besoj se janë ngushtuar edhe duke iu falënderuar këtij misioni”, theksoi ambasadori Verbeke, që ka kryesuar misionin faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit, që ka përfshirë takime në Bruksel, në Beograd, në Prishtinë dhe në vende të ndryshme në Kosovë. Ndërkohë, që asnjëri prej anëtarëve të tjerë të delegacionit, përfshirë edhe atë rus, Vitalij Curkin, të cilit i janë drejtuar pyetje, nuk kanë folur. Ambasadori Verbeke tha se misioni, sonte, takohet me kryenegociatorin Martti Ahtisaari në Vjenë, ndërsa javën e ardhshme misioni do të raportojë para Këshillit të Sigurimit lidhur me këtë vizitë.


XS
SM
MD
LG