Ndërlidhjet

logo-print

BERISHA:"PAVARËSIA DO SJELLË KRIZË NË VERI"


Ibrahim BERISHA, analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, misioni faktmbledhës i Kombeve të Bashkuara e ka përfunduar vizitën në Kosovë. Çfarë pritni ju nga raporti i këtij misioni dhe si do të reflektohet kjo në proces?

IBRAHIM BERISHA
Mund të pritet një raport real, së paku prej shumicës së anëtarëve të këtij misioni. Një raport, i cili do të vërtetojë se gjendja në Kosovë është e tillë, që kërkon një zgjidhje të shpejtë, që liria e qarkullimit ka njohur përparimet e dukshme, dhe që pozita e minoriteteve është shumë më e mirë, sesa shpesh proklamohet në institucione. Por, natyrisht që ende duhet bërë shumë, për të pasur një gjendje krejt normale në Kosovë, për shkak të shumë problemeve që ka pasur, jo vetëm me rastin e luftës apo pas luftës, por edhe më herët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky mision është dërguar në Kosovë, pasi është dorëzuar në Këshillin e Sigurimit propozimi i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur. Si do të reflektohet ky mision, raporti i këtij misioni, në dinamikën e procesit të mëtejshëm?

IBRAHIM BERISHA
Është fakt, që ky mision është produkt i presionit të Rusisë. Rusia ka pasur gjithmonë një qëndrim agresiv ndaj problemit shqiptar, së paku në 200 vjetët e fundit. Dhe në një mënyrë, nga shqiptarët, flas nga pozita e shqiptarëve, është kuptuar si tendencë për të ruajtur pozicionin hegjemonist të Rusisë, i cili lidhet edhe me konceptin hegjemonist të Rusisë për rajonin, flas për Evropën Juglindore dhe për Ballkanin. Kështu që në këtë raport forcash, Rusia ka bërë një hap i cili nuk do të duhej të reflektohej në cilësinë e rezolutës së ardhshme në Këshillin e Sigurimit, si dhe afatin e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për cilësinë e statusit të Kosovës që do të përcaktohet, në çfarë mase mund të ndikojë raporti? Sa janë të rëndësishme gjetjet, rezultatet e këtij raporti, në cilësinë e statusit?

IBRAHIM BERISHA
Mendoj se nuk do të jetë një raport, i cili do të ndikojë esencialisht në ndryshimin e premisave themelore të zgjidhjes së statusit të Kosovës, të paraqitura në planin e Ahtisaarit. Përkundrazi, unë mendoj që mund të shtojë cilësinë e zgjidhjes, nëse do të bëhej një vlerësim real i gjendjes. Ndërkohë, zgjidhja e statusit duhet të bëhet sa më shpejt, përndryshe shumëçka që është arritur në Kosovë dhe gjithë ky investim i bashkësisë ndërkombëtare, mund të vihet në pyetje.

RADIO EVROPA E LIRË
Si duhet të sillen institucionet e Kosovës, në rast se Këshilli i Sigurimit dështon të miratojë një rezolutë për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, për shkak të një vetoje eventuale që është paralajmëruar në një formë nga Rusia?

IBRAHIM BERISHA
Institucionet e Kosovës natyrisht që do të duhej, më në fund, të veprojnë në kuptimin edhe të asaj që thuhet në planin e Ahtisaarit, si dhe të qëndrimeve që janë paraqitur nga bashkësia ndërkombëtare, flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian. E ajo është pavarësia, shpallja e pavarësisë, dhe natyrisht marrja e përgjegjësive, të gjitha përgjegjësive edhe institucionale, në kuptimin e ndërtimit të një shteti ligjor, me qytetarë të barabartë, me një pluralizëm dhe tolerancë të thellë, me kushtet për të pasur mbështetjen e mëtejshme të bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në situatën kur shtrohet çështja e implementimit të statusit të Kosovës, qoftë përmes rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit, qoftë përmes njohjes së njëanshme nga shtetet e veçanta të pavarësisë së Kosovës, shtrohet çështja e serbëve të Kosovës, sfida e implementimit në veri. Si e shihni ju këtë çështje?

IBRAHIM BERISHA
Ky është një problem kompleks. Problem që ka ardhur si pasojë e neglizhencës edhe të institucioneve të Kosovës. Çështja e veriut dhe e Mitrovicës është injoruar edhe nga institucionet ndërkombëtare edhe nga institucionet e Kosovës. Është krijuar një gjendje faktike, e cila mund të prodhojë krizë dhe është shumë vështirë të parashihet se kah do të shkojë ky tip krize. Megjithëse, është e pamundur që një zgjidhje e statusit në konceptin e pavarësisë, nuk do të shkaktojë një krizë në veri. Tashti, është problemi se sa bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës do të jenë të vendosura, që këtë krizë ta menaxhojnë me mjete reale. Por, në bazë të shumë elementeve që janë tash në terren, serbët në Mitrovicën e veriut ende nuk janë pajtuar që të jetojnë në një Kosovë të pavarur. Dhe, ky është problemi kyç, sepse këtë nuk e dëshiron Beogradi apo Serbia. Mendoj, që presioni i bashkësisë ndërkombëtare nuk ka qenë i duhur edhe në Beograd, për të detyruar një shtet i cili ka bërë gjithë atë që mund të quhet terror, dhunë dhe krim shtetëror; nuk është sanksionuar ende, nuk ka asnjë sanksion ndaj Serbisë. Është e natyrshme që një shtet i tillë, një qeveri e tillë, do të vazhdojë me metoda dhe me mjete që i ka përdorur më parë, pasi që nuk e ka ndjerë dënimin e merituar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se është vështirë të përcaktohen drejtimet, në të cilat mund të shkojë kriza në veri. Cilat janë rreziqet kryesore në këtë plan?

IBRAHIM BERISHA
Realisht mund të them, se ajo që është më afër veprimit, është refuzimi i institucioneve, përkatësisht i vendimeve që mund të merren në konceptimin e pavarësisë, si dhe gjithë ajo që mund te sjellë pastaj në krijimin e një tipi enklave, me elemente të shtetit apo të logjikës hegjemoniste serbe, në këtë rast Qeverisë së Beogradit, e cila nuk po distancohet nga veprimet e dhunshme politike të minoritetit serb, si dhe mund të ndërmerren edhe hapa nëse vihet në pyetje realizimi i asaj rezolute, e më vonë i Kushtetutës së Kosovës. Por, natyrisht që mundësia më e mirë do të ishte, që serbët më në fund ta pranojnë realitetin dhe të bëhen pjesë e ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik dhe të një Kosove të pavarur, që është, në fund të fundit, edhe synim e përcaktim edhe i bashkësisë ndërkombëtare.

INTERVISTOI: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG