Ndërlidhjet

ÇEKU: PO PËRSHPEJTOHET ZGJIDHJA E STATUSIT


Rrahman Paçarizi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha sot se Kosova ka hyrë në një fazë të përshpejtuar të zgjidhjes së statusit, ndërkohë që vizita e fundit e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit ishte në linjën e bindjes së bashkësisë ndërkombëtare, se Kosova është e gatshme për të qenë një shtet modern. Kryeministri Çeku i bëri këto komente në fjalimin e tij të përjavshëm, duke theksuar se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur dhe këtë e ka mbështetur në fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Nicholas Burns, se Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të vendosura për pavarësinë e Kosovës. “Jemi me fat, por edhe meritorë për miqtë që kemi. Ata kanë fituar besim të plotë në drejtësinë e çështjes sonë, si dhe në aftësinë tonë që të ndërtojmë një shtet modern”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai tha se edhe vizita e fundit e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit, ishte plotësisht në këtë linjë. “Ajo ishte e rëndësishme për përfaqësuesit e vendeve anëtare, po aq sa edhe për ne. Për ta, ngaqë e kanë ndjerë dhe e kanë parë Kosovën përtej murit të dokumenteve zyrtare, që përpiqen ta ngushtojnë realitetin në statistika dhe interpretime. Nëse nuk kanë dashur të binden, kundërshtuesit e pavarësisë do ta kenë shumë më të vështirë të gjejnë argumente. Ne nuk do ta dimë rezultanten e votimit deri në momentin e fundit. Por, ne dimë se pas kësaj vizite, Kosova do të jetë shumë më e fuqishme”, theksoi kryeministrin Çeku, duke vlerësuar se Kosova tash ka hyrë në fazën e përshpejtuar të zgjidhjes së statusit. Mirëpo, analistët në Kosovë mendojnë ndryshe. Ilir Dugolli, nga instituti KIPRED, mendon se vetë misioni ka qenë i dizajnuar nga Rusia, për ta zvarritur procesin. “Besoj se në njëfarë doze e ka ngadalësuar, pasi krejt kjo është bërë për të blerë kohë. Kjo ka qenë nismë e Federatës Ruse, për të blerë kohë dhe për ta zvarritur procesin, dhe si e tillë, kuptohet se ka shërbyer për ta zvarritur çështjen e diskutimit në Këshillin e Sigurimit, dhe si e tillë duhet parë”, tha Ilir Dugolli. Sipas zotit Dugolli, dinamika e procesit tash e tutje varet nga vendosmëria e shteteve kryesore perëndimore, siç u shpreh ai. “Ato, besoj i kanë dhënë edhe një argument dhe hap Federatës Ruse, duke plotësuar një kërkesë të saj. Tani, nuk kanë fort arsye që t’i japin shumë më tepër dhe duhet të insistojnë, që rezoluta të dalë sa më shpejt për diskutim dhe miratim në Këshillin e Sigurimit”, theksoi zoti Dugolli. Sipas tij, rreziku kryesor qëndron në rast se pakoja e Ahtisaarit hapet dhe nisin diskutimet eventuale për ndryshimin e saj, me çka do të mund të rrezikohej vetë përmbajtja e propozimit ose substanca e saj.


XS
SM
MD
LG