Ndërlidhjet

SELMANAJ: ÇDO VIT ARMATËS SË TË PAPUNËVE I SHTOHEN EDHE NGA 30 MIJË TË TJERË


Albana Isufi

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, institucionet e Kosovës kanë sot ditë pushimi. Por, pothuajse gjysma e popullatës së Kosovës e ka tërë vitin pushim. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të paktën 45 për qind të papunë në Kosovë, shifër kjo që e radhit Kosovën të parën në rajon, për nga numri i të papunëve. Ministri Ibrahim Selmanaj thotë se papunësia është duke shënuar vazhdimisht rritje. “Realisht, ne për çdo vit në tregun e punës kemi afërsisht 30 mijë të rinj, që janë të aftë për punë. Kjo do të thotë se armatës së të papunëve, për çdo vit i shtohen 25 mijë deri në 30 mijë të aftë për punë. Pra, po rritet papunësia”, thotë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj. Ministria e Punës, shifrat e të papunëve i siguron nga qendrat, në të cilat kosovarët regjistrohen, duke shpresuar se do të gjendet ndonjë vend pune. Por, ekspertë të ekonomisë thonë se ka edhe shumë të rinj të tjerë, që nuk lajmërohen fare në këto qendra, çka nënkupton se numri i të papunëve mund të jetë edhe më i madh. Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se këto shifra të larta të papunësisë, tregojnë se në çfarë gjendje të rëndë është Kosova. “Fakti që çdo vit janë 30 mijë të papunë, tregon për kaosin dhe për situatën shumë të rëndë që është në Kosovë, një situatë pa perspektivë. Kam përshtypjen se Ministria nuk ka punë të tjera, por vetëm të numërojë numrin e të papunëve. Ka shumë pak raste, që të numërojë numrin e të punësuarve”, thotë Rexhepi. Ministri Selmanaj radhit mungesën e statusit final ndër faktorët kryesorë që, sipas tij, ka bërë që Kosova të prijë në rajon për nga numri i të papunëve. “Në radhë të parë është mosdefinimi i qartë i statusit të Kosovës dhe moszhvillimi ekonomik. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë zbutje të papunësisë. Vitin e kaluar ka shkuar mjaft mirë procesi i privatizimit, që po vazhdon edhe këtë vit. Janë këto tendencat tona, që sadopak ta zbusim papunësinë. Por, si element që do të na nxjerrë nga kjo situatë e rëndë, është punësimi sezonal”, shprehet Selmanaj, duke shtuar se Ministria që ai drejton, është në bisedime me disa rajone të Italisë, si dhe të disa shteteve të tjera evropiane, për të shikuar mundësinë e punësimit sezonal të të rinjve atje. ”Kemi një delegacion të punës në Itali, njëkohësisht Kanadaja është e interesuar dhe kemi filluar bisedimet me atë shtet. Unë besoj se viti 2008 do të jetë krejt ndryshe. Më pas Greqia, Franca, Austria e shtetet tjera kanë nevojë, mirëpo validiteti i dokumenteve është një nga problemet kyçe, dhënia e vizave të punës dhe garancitë e një mekanizmi që do të garantojnë kthimin e punëtorëve”, thekson Selmanaj. Por, Ibrahim Rexhepi thotë se punësimi sezonal është një alternativë, por jo edhe zgjidhja e problemit. “Zgjidhja do të ishte me zhvillim, me investime dhe me krijimin e tregut të punës në Kosovë, e jo zgjidhje parciale”, thotë Rexhepi. Megjithatë, Rexhepi pranon se çështja e papunësisë nuk është problem që mund të zgjidhet brenda natës. “Realisht, problemin duhet shikuar të lidhur me statusin. Nëse definohet qartë statusi i Kosovës, atëherë mund të llogarisim në një stabilitet ekonomik dhe që tregu i Kosovës të jetë më atraktiv për investitorët e jashtëm, pasi Kosova nuk ka potencial që ta zgjidhë vetë këtë problem, pa kapitalin e huaj”, thekson Rexhepi. Një hulumtim mbi gjendjen e rinisë dhe brengat e tyre për të ardhmen, të përpiluar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara apo UNDP-ja, ka vënë në pah se po të kishin mundësi, më shumë se gjysma e të rinjve kosovarë do të migronin. Tërë kjo, për shkak se këta të rinj nuk kanë mundësitë e duhura për punësim dhe për jetë normale. Ky hulumtim tregon se tre nga katër persona që kërkojnë punë, janë më të rinj se 40 vjeç. Kosovarët e moshës më të re, 25 vjeç, përbëjnë 57 për qind të popullsisë që përballen me varfëri të skajshme, thuhet në hulumtim.
XS
SM
MD
LG