Ndërlidhjet

logo-print

SYLA: KUVENDI DO TË VEPROJË SIPAS MANDATIT QË KA


Gjylnaze SYLA, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Syla, dy ditë më parë misioni faktmbledhës i Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka përfunduar një vizitë në Kosovë. Sipas jush, si do të reflektohet kjo vizitë, ky delegacion, në procesin e mëtejshëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

GJYLNAZE SYLA
Së pari, konsideroj se vizita e këtij delegacioni i ka ndihmuar disa anëtarëve të delegacionit, që të shohin me sytë e tyre dhe të vërtetohen për progresin e arritur në Kosovë. Natyrisht, disa nga vendet anëtare nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme për Kosovën, e kjo ka ndikuar që ata të hezitojnë më shumë për ta mbështetur çështjen tonë. Prandaj, mendoj që me sytë e tyre kanë mundur të vërtetohen, edhe pse brenda një periudhe të shkurtër, për të gjitha të arriturat në Kosovë. Tash, ne presim që të përshpejtohet dinamika, që do të thotë sa më shpejt të kalojë rezoluta në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe ne, sa më shpejt të mund të fillojmë me zhvillimin e progresit në Kosovë, dhe në këtë aspekt, mendoj sidomos në zhvillimin ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, çfarë prisni ju nga hapja e diskutimit në Këshillin e Sigurimit?

GJYLNAZE SYLA
Nuk besoj se do të ketë ndryshime të planit, për shkak se është arritur, mund të them, optimumi. Kjo është zgjidhja më realiste që mund të jetë dhe është në dobi të të gjitha palëve, dhe në dobinë tonë natyrisht, që të përshpejtohet procesi. Çfarë duhet të bëjë pala kosovare? Natyrisht, t’i përcjellë rrjedhat në Këshillin e Sigurimit, sepse procesi ka kaluar në New York dhe tani varet nga dinamika në New York. Konform atyre zhvillimeve, duhet të sillet edhe Qeveria e Kosovës, por edhe Parlamenti i Kosovës. Ne e kemi marrë mandatin dhe dihet se cili është qëllimi ynë, dhe ky është i vetmi mandat të cilin e kemi si Kuvend.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni ju nga Këshilli i Sigurimit?

GJYLNAZE SYLA
Pasi i kanë të gjitha dokumentet e nevojshme nga vetë anëtarët, kanë pasur edhe më herët raporte të ndryshme, si nga zoti Kai Eide, dhe në fund të fundit edhe vetë kryenegociatori Ahtisaari është caktuar nga Këshilli i Sigurimit, duke marrë parasysh të gjitha këto raportime dhe vetë vizitën e tyre, presim që të kuptojnë dhe ta lëvizin procesin sa më shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Syla, cili do të jetë tash roli i Kuvendit të Kosovës në këtë proces? Si do të sillet Kuvendi tash e tutje?

GJYLNAZE SYLA
Ne do ta mirëpresim kalimin e rezolutës, ashtu që në të vërtetë Rezoluta 1244 të humbë efektin e saj. Dhe pastaj, me rezolutën e re, ne do të punojmë konform përgjegjësive që i kemi marrë. Unë duhet të kujtoj që Kuvendi i Kosovës e ka votuar këtë dokument dhe me këtë e ka marrë edhe përgjegjësinë. Megjithatë, nëse ka zhvillim tjetër të një dinamike tjetër, atëherë ne si Kuvend i Kosovës, po që se rezoluta nuk kalon në Këshillin e Sigurimit, e kemi obligim ndaj qytetarëve tanë, që të shpallim në Kuvendin e Kosovës pavarësinë e Kosovës, dhe pastaj të kërkojmë njohjen individuale nga shtete të ndryshme të shtetit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës duket sikur është vonuar me punën e simboleve dhe të infrastrukturës tjetër, të nevojshme për pritjen e një rezolute të re për status të ri të Kosovës. Si e shpjegoni ju këtë?

GJYLNAZE SYLA
Unë nuk konsideroj se është ashtu. Mendoj se nuk janë vetëm simbolet, por janë edhe Kushtetuta dhe ligjet tjera, që shkojnë konform saj dhe përgjegjësive që na presin menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Megjithatë, sa i përket simboleve është edhe diskutimi i brendshëm. Dua të theksoj, se kjo duhet të shkojë edhe në korrelacion me zhvillimet politike, të cilat ndodhin tani. Nuk konsideroj se jemi vonuar, mendoj se është mirë të kemi diskutim dhe është mirë që sa më shumë të arrihet konsensus përbrenda nesh, që ne të pajtohemi për simbolet me të cilat pastaj edhe do të krenohemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe ku ka ngecur puna lidhur me simbolet, meqë po përmendni nevojën e arritjes së konsensusit?

GJYLNAZE SYLA
Kur them nevojën e arritjes së konsensusit, nuk mendoj vetëm në mes të partive politike, por mendoj që simbolet janë çështje edhe e shoqërisë civile, gazetarëve, qytetarëve, artistëve; pastaj, natyrisht edhe e pakicave që jetojnë në Kosovë. Të gjithë duhet të pajtohen në këtë aspekt, se cilat do të jenë simbolet e Kosovës. Ne kemi simbolet kombëtare dhe këtë gjithmonë duhet sqaruar; simbolet kombëtare nuk duhet përzier me ato shtetërore, për arsye se sa i përket ndryshimit të simbolit kombëtar, ne si Kosovë jemi një pjesë e popullit dhe nuk kemi të drejtë të ndryshojmë, ta zëmë flamurin kombëtar, por kjo më tepër ka të bëjë me definimin e simboleve, që kanë të bëjnë me identitetin e shtetësisë së Kosovës.

INTERVISTOI: RRAHMAN PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG