Ndërlidhjet

AUTORITETET BESOJNË FUQISHËM NË MIRATIMIN E REZOLUTËS NË KS


Albana Isufi

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës besojnë, se pavarësisht hezitimeve të disa shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit për planin e Ahtisaarit, organi më i lartë i Kombeve të Bashkuara do të miratojë rezolutën që do të mundësojë pavarësimin e Kosovës. Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Skënder Durmishi, thotë se kosovarët kanë pse të jenë optimistë për këtë çështje, pasi sipas tij, janë përmbushur standardet dhe është ofruar maksimumi i kompromiseve. “Bazuar në prononcimet e bëra gjatë qëndrimit në Prishtinë, presim që edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të konfirmojnë progresin që patën rast ta shohin gjatë vizitës, dhe kjo të bëhet pjesë e rezolutës së re. Veç kësaj, dominon mbështetja që po i jepet planit të zotit Ahtisaari; përkrahja e fundit ishte në samitin BE-SHBA dhe kjo do të ketë rëndësi edhe për të tjerët. Pra, në këtë moment, me tërë vëmendjen jemi përqendruar rreth rezolutës së re, e cila tashmë dihet se nga kush do të sponsorizohet. Presim që këto procedura të mos vonohen”, tha Durmishi. Këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se domosdoshmëria e miratimit të planit të Ahtisaarit do të dominojë në qasjen e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. “Ne besojmë se do të ketë një rezolutë, e cila do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit për përkrahjen e planit të Ahtisaarit. Ne e dimë që ky është i vetmi plan dhe plani më i mirë për të zgjidhur statusin e Kosovës, sipas vullnetit të shumicës së Kosovës”, theksoi Qirezi. Institucionet e Kosovës nuk deklarohen qartë, se si do të veprojnë në rast të mosmiratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Shumë thonë se një mundësi e tillë ekziston, sidomos pas kërcënimit të zyrtarëve rusë për përdorim të vetos në Këshillin e Sigurimit. Anëtari i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Fehmi Mujota, shpreson se Kosova nuk do të ketë nevojë të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. ”Ne shpresojmë shumë, që qëndrimi i SHBA-ve dhe BE-së është një vendim, i cili do të tërheqë pas vetes të gjitha vendet që ende hezitojnë për statusin. Besojmë se nuk do të ketë nevojë për veprime të njëanshme në asnjë rast. Por, PDK-ja, nëse është e nevojshme, në përputhje me veprimet e SHBA-ve dhe BE-së, do të bëjë edhe veprime të tilla”, u shpreh Mujota. Ndërkaq, nga zyra e kryeparlamentarit thuhet se Kuvendi do të veprojë në mënyrë të duhur, në momentin e duhur. ”Në këtë moment, nuk duam të bëjmë komente as të merremi shumë me variante hipotetike. Mund të përsëris qëndrimin e shprehur disa herë nga kryetari i Kuvendit, se në çdo situatë dhe për çdo situatë, Kuvendi i Kosovës ka vetëm atë mandat, që të shprehë interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe parimisht, në çdo rrethanë të mundshme, duke u konsultuar me miqtë tanë ndërkombëtarë, do të bëjë vlerësimin e duhur dhe do të ndërmarrë hapin e duhur”, theksoi Skënder Durmishi. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje dje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që pa kurrfarë shtyrje të miratojë një rezolutë për statusin e Kosovës dhe kanë mbështetur planin e Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Në dokumentin e miratuar në samitin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian thuhet se zgjidhja e statusit të Kosovës do ta forcojë stabilitetin e të gjithë rajonit. Aty përsëritet se zgjidhja e statusit të Kosovës është rast unik dhe nuk paraqet precedent.
XS
SM
MD
LG