Ndërlidhjet

PRISHTINA NË PRITJE TË INFORMACIONEVE MBI VARREZËN E MUNDSHME MASIVE NË SERBI


Nadie Ahmeti

Përfaqësuesit e institucioneve vendore në Kosovë pohojnë se ende nuk kanë informacione të sakta mbi një varrezë masive në Serbi, në të cilën është thënë se gjenden trupat e pajetë të shqiptarëve. Njoftimet flasin për një varrezë masive në afërsi të fshatit Rudnicë, tek vendkalimi kufitar në veri të Kosovës me Serbinë. Arif Muçolli, koordinator i Qeverisë së Kosovës për personat e pagjetur, pohon se ka disa dyshime, që në fshatin Rudnicë është gjetur një varrezë masive, por deri më tash nuk ka informacione konkrete. Sipas tij, në lokacionin e dyshuar, në fillim të muajit qershor do të fillojnë hulumtimet, nëse ekziston në të vërtetë ndonjë varrezë masive. “Është një dyshim se aty mund të jetë një varrezë masive. Ne atë informatë e kemi marrë. Grupi dialogues me Serbinë ka biseduar disa herë. Shpresojmë se do të bëhen hulumtime dhe do të vijmë deri te informacionet, se a është e vërtetë kjo, a ka trupa apo jo”, tha zoti Muçolli. Idriz Gashi, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, thotë se lokacioni i dyshimtë tashmë është lokalizuar dhe pritet vetëm fillimi i hulumtimeve. “Ai vend është lokalizuar si i tillë. Pritet, kur kushtet klimatike të mundësojnë, që ai vend të zhvarroset dhe pastaj të dalë e vërteta në pah. Autoritet serbe kanë marrë obligim që të zhvarroset ai vend”, pohoi zoti Gashi. Zoti Muçolli ndërkaq tha se Qeveria e Kosovës tashmë ka filluar përgatitjet e nevojshme, për të nisur hulumtimet. “Ne jemi këmbëngulës se ai vend duhet të hulumtohet. Pasi të hulumtohet, ne mund të dalim me rezultate konkrete. Ajo varet edhe prej kushteve atmosferike, por edhe prej përgatitjeve teknike që duhet të bëhen paraprakisht, sepse janë disa punë teknike që duhet bërë”, u shpreh zoti Muçolli. Por, zoti Gashi, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, thotë se ka edhe lokacione të tjera potenciale, si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi, që në një të ardhme të afërt duhet të hulumtohen, për të mundësuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. “Për momentin nuk mund të flas për lokacione konkrete. Vetëm mund të them, se është një numër i lokacioneve, ku informacionet janë duke u këmbyer përmes delegacioneve të ndryshme, në mënyrë që të vijmë deri tek një vendndodhje më konkrete dhe më e saktë e një lokacioni të mundshëm”, tha zoti Gashi. Haki Kasumi, kryetar i asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, ka kërkuar nga autoritetet, që informacionet mbi varrezën e mundshme masive fillimisht të konfirmohen si të vërteta dhe pastaj të plasohen në opinion. “Ju lutem, informatat e pakonfirmuara mos të jepen. Këto informata mos të mbërrijnë tek familjarët, sepse është një veprim jonjerëzor, politikisht i dëmshëm dhe i qëllimshëm nga Serbia”, u shpreh zoti Kasumi. Sidoqoftë, njoftimet e para për këtë varrezë janë dhënë nga udhëheqësit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, nga fundi i muajit të kaluar. Ndryshe, në Kosovë, që prej përfundimit të luftës, llogariten se janë të zhdukur 2082 persona, prej tyre 1358 janë shqiptarë, 523 janë serbë, ndërkaq 201 janë anëtarë të grupeve të tjera etnike.

XS
SM
MD
LG