Ndërlidhjet

logo-print

AGJENCIA KUNDËR KORRUPSIONIT PARALAJMËRON MASA LIGJORE


Nadie Ahmeti

Nesër është afati i fundit, që 241 zyrtarë të lartë institucionalë të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit. Deklarimi i pasurisë është detyrim sipas Ligjit Kundër Korrupsionit. Deri më tash, nga 732 persona zyrtarë, vetëm 491 prej tyre kanë përmbushur këtë obligim. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, pohon se nëse formularët për deklarimin e pasurisë së këtyre personave nuk arrijnë në zyrën e Agjencisë deri të premten, ndaj tyre menjëherë do të ndërmerren masa ligjore. “Në aspektin moral, ne do t’i publikojmë listat me emrat e atyre personave, të cilët nuk i kanë përfillur obligimet ligjore. Në anën tjetër, do të respektojmë Ligjin Kundër Korrupsionit, i cili parasheh masa ndaj atyre zyrtarëve. Nga punëdhënësit e tyre do të kërkojmë që t’iu hiqet një pjesë e pagës. Pjesa e pagës e cila duhet të sanksionet për ata zyrtarë të lartë, thënë kushtimisht ‘të padisiplinuar’, është 20 përqindëshi i pagës”, theksoi zoti Preteni. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit tërheq vërejtjen, se afat shtesë për deklarimin e pasurisë nuk do të ketë. Zoti Preteni ndërkaq pohon se pas tre muajve, zyrtarët që nuk e përmbushin këtë obligim, do të largohen edhe nga vendi i tyre i punës. “Ligji nuk e ka paraparë afatin shtesë. Ligji ka paraparë vetëm një afat shtesë, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se 15 ditë. Ne kemi mundësuar afatin e dytë afër 20 ditë. Ligji parasheh që kjo masë është e përkohshme dhe zgjat maksimalisht tre muaj. Pas tre muajve, Agjencia e inicion procedurën tek punëdhënësi, që këta persona zyrtarë të shkarkohen nga detyrat e tyre funksionale”, tha zoti Preteni. Arsyetimi i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tash, emrat e të cilëve Agjencia nuk i ka bërë publikë, ishte se ata nuk kanë qenë të njohur më herët me këto procedura. Por, zoti Preteni shkurt thotë, se kësaj radhe nuk do të ketë më arsyetime. “Arsyetim për këtë nuk ka. Ligjin duhet respektuar, ligjin nuk e ka nxjerrë Agjencia. Ai është nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës dhe ne jemi institucion që punojmë konform këtij ligji”, u shpreh zoti Preteni. Sidoqoftë, e gjithë ajo që Agjencia po kërkon, është që udhëheqësit dhe zyrtarët të deklarojnë pasurinë e tyre. Evidentimi i prejardhjes së kësaj pasurie mbetet një çështje tjetër, për zgjidhjen e së cilës Agjencia pohon se nuk ka mekanizëm.
XS
SM
MD
LG