Ndërlidhjet

ENDE NUK JANË PËRCAKTUAR KRITERET PËRFUNDIMTARE PËR SIMBOLET E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Autoritetet kosovare vazhdojnë të mbeten në kërkim të përcaktimit të kritereve, mbi bazën e të cilave do të propozohen dhe miratohen simbolet e Kosovës. Çështja e simboleve është vlerësuar tashmë si një prej prioriteteve dhe çështjeve të ngutshme, që i duhen Kosovës qysh në fazën e tranzicionit. Mirëpo, te subjektet kosovare ka disa çështje, që konsiderohen se duhet harmonizuar tutje, para se të procedohet me shpalljen e konkursit për stemën, flamurin dhe himnin e Kosovës. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, thotë se disa çështje që duhet harmonizuar, pritet të definohen në një takim të përbashkët të liderëve kosovarë dhe Kryesisë së Kuvendit, por ende nuk dihet data kur do të ndodhë ky takim. “Kryesia e Kuvendit e ka parë të udhës, që të takohet me Ekipin e Unitetit dhe të bisedojë. Të bëhen sqarime shtesë, rreth mënyrës se si do të procedohet në punën e simboleve. Mbetet të shihet kur dhe si do të organizohet ky takim, në mënyrë që të merren vendimet e duhura për këtë çështje”, tha Hyseni. Në anën tjetër, partitë politike vlerësojnë se është e mundshme dhe reale të pritet, që Kosova të ketë simbole që do të pranohen nga shumica e subjekteve dhe qytetarëve të Kosovës. Jakup Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, vlerëson se hapi i parë në këtë çështje është formimi i jurive apo komisioneve, të cilat do t’i përcaktojnë kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës. “Ne si parti politike, mbështesim formimin e një komisioni të përbashkët politik e profesional, në kuadër të Parlamentit, që e përgatit konkursin. E pastaj, një komision tjetër vlerësues, edhe ai do të duhej të ishte politik e profesional, në mënyrë që vërtet të bëhen simbole mbi bazën e kritereve profesionale”, pohoi Krasniqi. Sipas tij, me rëndësi do të jetë, që simbolet e Kosovës të jenë të pranueshme për shumicën e subjekteve dhe qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se aktualisht ka disa shembuj, përkatësisht modele, që mund të merren në punimin e tyre, siç janë simbolet që kanë institucionet vendore, si Qeveria, TMK-ja apo SHPK-ja, të cilat janë të pranueshme për të gjithë. “Mendoj që në këtë hartim do të ketë ndikim vendor, por edhe ndikime ndërkombëtare, çka nuk e mohoj si mundësi. Përndryshe, mundësi për të pasur simbole që janë të pranueshme për shumicën në Kosovë, ekzistojnë. Dhe, një traditë të tillë gjatë këtyre viteve, Kosova ka ndërtuar”, vlerësoi Krasniqi. Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se Kuvendi i Kosovës do të duhej ta ketë rolin prijës në çështjen e simboleve, që nga formimi i jurive e deri te miratimi i kritereve, mbi bazën e të cilave do të shpallej konkursi. “Ne jemi në favor të asaj që të formohet komisioni, në të cilin do të ketë edhe njerëz të politikës, parlamentarë, përveç ekspertëve. Pastaj, përmes këtij komisioni, kur të bëhet përzgjedhja, propozimet nga ky komision t’i procedohen Kuvendit, i cili do të vendosë”, tha Syla. Në pakon e Ahtisaarit kërkohet që simbolet e Kosovës të pasqyrojnë shumë-etnicitetin e saj. Lidhur me këtë, deputetja Gjylnaze Syla thotë se Kuvendi e ka miratuar këtë pako dhe mbi bazën e saj edhe do të duhej të sillet kur është në pyetje zbatimi, gjë që vlen edhe për simbolet shtetërore të Kosovës. “Çështja e simboleve shtetërore duhet dalluar nga çështja e simboleve kombëtare. Simbolet kombëtare janë të tërë kombit. Meqenëse ne në Kosovë jemi një pjesë e kombit, atëherë nuk kemi të drejtë t’i ndryshojmë ato. Ne jemi në favor të asaj që të mbahen simbolet kombëtare, kurse këto shtetërore të përcaktohen konform shtetit të ri të Kosovës”, theksoi Syla. Ekipi i Unitetit i ka dorëzuar kohë më parë Kryesisë së Kuvendit gjashtë rekomandime, lidhur me shpalljen e konkursit për simbolet. Mirëpo, Kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare kanë vlerësuar se këto rekomandime kërkojnë një ridefinim, sidomos lidhur me formimin e jurive, të cilat do t’i përcaktojnë kriteret për simbolet si dhe ata që do të bëjnë përzgjedhjen e tyre. Ndryshe, pas të gjitha procedurave, simbolet e Kosovës miratohen me dy të tretat apo 80 vota ‘për’ të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG