Ndërlidhjet

LONDËR


Kryenegociatori për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari tha se plani i tij për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën është rruga e vetme përpara dhe u shpreh i bindur se kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë mund të tejkalohet.
"Kjo është zgjidhja e vetme nëse duam që të zgjidhim problemin e Kosovës" tha Ahtisaari, i cili në Londër mori pjesë në tryezën e rrumbullaktë "Kosova – dje, sot dhe nesër", të organizuar nga Catham House.
"Është shumë e vështirë të mendoj se Rusia e sotme dëshiron t'i dërgojë botës mesazhin, duke kundërshtuar zbatimin e planit në Këshillin e Sigurimit, se cilido diktator si Slobodan Millosheviqi mund të sillet ashtu si dëshiron me qytetarët e tij duke u fshehur pas sovranitetit" tha Ahtisaari duke shtuar se "propozimi ynë ndoshta garanton mbrojtjen më të mirë në botë për pakicat".
Ai tha se NATO do ta vendos vetë kohën e qëndrimit në Kosovë.
"Nuk mendoj se ndërkombëtarët do të largohen brenda dy vitesh. Do të thoja se ata do të qëndrojnë atje të paktën pesë vite, por kjo nuk është vendosur askund" tha Ahtisari.
Zëvendës i Ahtisarit, diplomati Alber Rohan ndërkaq tha se mbetet i bindur se unanimiteti mund të arrihet. Ai insistoi se pavarësia është i vetmi opcion.
Gjatë qëndrimit në Londër Ahtisari u takua edhe me ministrin britanik për Evropën Jeff Hoon.
XS
SM
MD
LG