Ndërlidhjet

SAMARXHIQ:"SHUMË ANËTARË TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT KUNDËR REZOLUTËS SË RE"


Dushan SAMARXHIQ, anëtar i Ekipit Negociator të Serbisë

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Samarxhiq, çfarë pritni nga raporti i misionit të Këshillit të Sigurimit pas vizitave në Kosovë dhe Beograd?

DUSHAN SAMARXHIQ
Pres që raporti të jetë i drejtë, ta paraqesë gjendjen e vërtetë në Kosovë, sepse raportet që i kanë shkruar përfaqësuesit e posaçëm, jo vetëm ky i fundit i Joachim Ruecker por edhe të gjithë paraardhësit e tij, nuk kanë qenë realë. Ndonëse misioni nuk vizitoi një numër të mjaftueshëm të enklavave serbe dhe praktikisht pothuaj asnjë kishë apo manastir të dëmtuar, ai megjithate ka mjaft material për të hartuar një raport të balancuar, dhe në bazë të tij të shkohet më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cilat pjesë të planit të Martti Ahtisaarit janë më të papranueshme për Serbinë?

DUSHAN SAMARXHIQ
Pothuaj asnjë pjesë nuk është e pranueshme. Plani është shkruar ashtu që as në pjesët statusore, as në ato që kanë të bëjnë me rregullimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, as në pjesët për decentralizimin, për çështjet ekonomike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nuk u përgjigjet interesave të Serbisë dhe të serbëve. Ai shumë pak mund të shfrytëzohet nëqoftëse dikush do të dëshironte që nga ky plan të ketë ndonjë dobi.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri në ç'masë Beogradi mbështetet në veton ruse në Këshillin e Sigurimit, dhe a janë reale pritjet e tilla?

DUSHAN SAMARXHIQ
Rusët vetë kanë thënë se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje, e cila nuk do të jetë fryt i marrëveshjes së ndërsjellë mes Prishtinës dhe Boegradit. Tashmë një vit, ata janë këmbëngulës në këtë qëndrim. Deri tash kanë qenë konsekuent, dhe mendoj se nuk do të heqin dorë nga kjo. Vetoja është vetëm masë e fundit, të cilën ata do ta shfrytëzojnë nëse vjen deri te votimi i rezolutës. Por unë mendoj se nuk do të vijë deri te një rezolutë e tillë, sepse jo vetëm kërcënimi i vetos ruse, por edhe qëndrimi i shumë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit është negativ. Ata janë kundër hartimit të një rezolute të re, e cila do ta shfuqizonte rezolutën 1244 dhe do të hapte rrugën për pavarësinë e Kosovës. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për Rusinë. Rusia është vetëm një kundërshtar më serioz i kësaj zgjidhje, por në Këshillin e Sigurimit të atillë ka shumë. Prandaj mundet që të mos vijë puna deri te vetoja, ndërsa rezoluta të mos miratohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si e shihni zhvillimin e mundshëm të sitatës nëse Kosova e shpall njëanshëm pavarësinë, të cilën pastaj eventualisht do ta mbështesnin Shtetet e Bashkuara, Britania, dhe disa vende tjera evropiane?

DUSHAN SAMARXHIQ
Kjo është një situatë paksa e pabesueshme. Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të përkrahë zgjidhje të njëanshme, sepse do të mbajë mbi supe përgjegjësi të madhe sigurie, financiare, por edhe organizative për statusin e ardhshëm të Kosovës. Mendoj se Bashkimi Evropian nuk është i aftë ta bëjë këtë pa një mandat të Këshillit të Sigurimit, kështu që këtë do ta kenë parasysh edhe aleati më i madh i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë mendoj se rrëfimet për njohjet e njëanshme janë vetëm një lloj presioni, që vendet të cilat hezitojnë apo janë kundër, të heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Gjithashtu mendoj se shqiptarët e Kosovës do të veprojnë ashtu si do t'u thotë Amerika.

RADIO EVROPA E LIRË
A është dhe në çfarë mase është e përhapur ideja për ndarjen e Kosovës në qarqet politike të Beogradit?

DUSHAN SAMARXHIQ
Kjo është një ide e vjetër, ndoshta 15 vjet, e cila është mjaft e pranishme në qarqet intelektuale, në disa qarqe politike dhe opinionin e gjerë publik. Në politikën zyrtare ajo nuk ekziston. Politika zyrtare thjesht u përmbahet parimeve të Grupit të Kontaktit, njëri nga të cilët është se nuk ka ndarje të Kosovës. Neve kjo na përgjigjet plotësisht, sepse shtylla kryesore në të cilën mbështetet politika e Serbisë, është e drejta ndërkombëtare dhe parimi i pacënueshmërisë së kufijve. Në atë rast, nuk vjen parasysh kurrfarë ndarje, kurrfarë tjetërsimi i territorit të Serbisë, si shtet i njohur ndërkombëtarisht.
Por në diskutimet e lira, kjo temë është mjaft e pranishme. Njerëzit thjesht kanë të drejtë të mendojnë lirisht për këtë, andaj në shtyp apo mediat elektronike ka bisedime të shpeshta, të cilat janë fryt i diskutimeve të lira mbi këtë temë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ndikon çështja e statusit të Kosovës në mos formimin e qeverisë së re serbe?

DUSHAN SAMARXHIQ
Unë nuk mundem saktësisht të përgjigjem në këtë pyetje. Janë shumë faktorë që ndikojnë në mos formimin e qeverisë. Ka një spektër të gjerë dallimesh në skenën politike, ndërsa Kosova nuk është tema rreth së cilës thyhen shtizat. Rezolutat e miratuara në Kuvend janë votuar me shumicë të plotë, kështu që partitë, të cilat janë në lojë për formimin e qeverisë, kanë qëndrime shumë të ngjashme apo pothuaj identike për Kosovën. Mendoj se janë në pyetje janë disa probleme tjera, të cilat ndikojnë më së shumti në pamundësinë që Serbia të fitojë qeverinë.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG